Pas tre viteve sorollatje, më në fund foli edhe drejtësia shqiptare: Sali Berisha është kryetari legjitim i Partisë Demokratike! Merr fund kështu saga gjyqeve në mes PD- së zyrtare siç cilësohej deri tani ajo e drejtuar nga Lulzim Basha dhe PD- Rithemelimi siç quhej grupimi i drejtuar nga Sali Berisha.
Me gjuhën e popullit, “haka shkoi tek i zoti”, me mjaft vonesë duke patur parasysh se PD- ja është partia kryesore e opozitës dhe që qeverisi këtë vend rret 13 vite nga 1990- a. Përveç gjykatave, pakkush kishte dyshime se kujt i përkiste Partia Demokratike. Jo vetëm demokratët, por edhe shqiptarët e dinin se PD- ja ishte Sali Berisha.
Aktivitetet e herëpashershme politike të PD- Rithemelimi por edhe zgjedhjet e zhvilluara gjatë kësaj periudhe, treguan qartas se kush është Partia Demokratike, madje jo vetëm me votën e demokratëve por edhe të shqiptarëve në përgjithësi. Sot, edhe sistemi i drejtësisë e vulosi këtë fakt, me vendim të formës së prerë, pas rekomandimit të Gjykatës së Lartë.
Duke dalë nga Gjykata e Apelit në Tiranë, shumë drejtues e deputetë tashmë të PD- së zyrtare të Sali Berishës, ngritën gishtat. Mes tyre, edhe ata që ndikuan që kjo sagë të zgjatej gati 3 vjet deri ditën e sotme. Përveç gëzimit të ligjshëm të demokratëve por edhe shqiptarëve që zyrtarisht kanë një forcë legale të opozitës më të madhe, është momenti që këta mosbesues të ulin kokën, mbase edhe të kërkojnë ndjesë demokratëve.
Pas vendimit të Gjykatës së Apelit, nuk është aspak çudi që të ndryshojë edhe statusi juridik i Sali Berishës. Tashmë zyrtarisht kryetar i PD- së, forcës më të madhe të opozitës në Shqipëri, pa patur asnjë akuzë zyrtare, nuk është normale të jetë në “arrest shtëpie”. Sidomos për një vend që tashmë është në paradhomën e BE- së. /Nga Sokol N. SOKOLI/