Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Shkodër, pas shkëmbimit të informacioneve me shërbimet e DVKM Shkodër dhe të Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, për një rast të tentativës për dhënie ndihmë emigrantëve nga Vendet e Treta, për kalim të paligjshëm të kufirit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Danubi 9”.
Si rezultat i operacionit, u arrestua shtetasi A. L., 44 vjeç, banues në fshatin Boriç i Madh.
Ky shtetas kishte strehuar në banesën e tij, 22 shtetas nga Vendet e Treta, të cilët do t’i ndihmonte, kundrejt pagesës, që të kalonin ilegalisht kufirin.
Në vijim të veprimeve u shpallën në kërkim shtetasit: A. K, 36 vjeç, S. O., 37 vjeç dhe B. S., 39 vjeç, të tre banues në Gjilan, Kosovë, të dyshuar si bashkëpunëtorë në këtë veprimtari kriminale.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti tip “Benz” me targa kosovare, që dyshohet se do përdorej për transportimin e emigrantëve.