Një kompani e produkteve të bulmetit, ka ndërmarrë një fushatë të çmendur marketingu, në kuptimin e plotë të fjalës. Për të shitur një nga produktet e saj, dhallën, vendos të ambalazhime, paketime por edhe banner reklamues, figurat më të shquara të kombit në shekuj.
Gjergj Kastrioti- Skenderbeu- heroi ynë i pakontestueshëm kombëtar në të gjitha etapat e historisë, Ismail Qemali- i konsideruar edhe si “babai” i Pavarësisë së Shqipërisë dhe shenjtorja Nënë Tereza- shqiptarja absolutisht më e njëhur dhe më e vlerësuar në botë, po përdoren në mënyrë të turpshme për të reklamuar dhallën…
Është detyrim i institucioneve shtetërore të reagojnë sepse është denigrim dhe përdorim i paautorizuar i këtyre imazheve nga një kompani bulmeti, veç të tjerave edhe me reputacion të dyshimtë. Figurat e mësipërme, mbrohen me ligj si simbole të këtij shteti e kombit shqiptar. Është më shumë se vulgaritet, që mbi kokën e tyre, të shkruhet “dhallë” apo çdo produkt tjetër bulmeti. Këto figura supreme të kombit, nuk kanë asnjë lidhje me dhallën apo produkte të tjera të bulmetit ose ndonjë lloji tjetër.
LEXONI EDHE: Përdorimi i figurave kombëtare për reklamimin e dhallës, reagon për ShkodraWeb kompania e bulmetit…
Kjo kompani e çmendur dhe e marrosur nga dëshira për fitim me çdo çmim, jo vetëm duhet detyruar të heqë nga qarkullimi këto produkte por edhe të bëhet shembull, përmes ndonjë gjoje që t’ ja sjellë mendjen verdallë pronarit apo pronarëve. Duhet të mësojnë të gjithë që, ka disa simbole me të cilat nuk mund “të luhet” në asnjë formë. Nëse duam të jemi komb serioz dhe pjesë e BE- së.
Është fyerje e dinjitetit tonë kombëtar dhe sigurisht, nuk është e paqëllimshme. Duhet të reagojnë shumë institucionet shtetërore, e në mënyre të veçantë, Kisha Katolike në Shqipëri pasi Shën Tereza e Kalkultës, ka një status tjetër për miliarda besimtarë në të gjithë globin, jo vetëm për katolikët shqiptarë.