Pedagoge dhe pedagogë të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”!
E ARDHMJA JUAJ, MISIONI YNË!
LE TË KRIJOJMË TË NESËRMEN SË BASHKU!
Unë kam patur ditën e parë në auditor, pra, kam nisur karrierën akademike në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe të kthehem këtu për të konkurruar për rektor në universitetit tonë, është, jo thjesht nder, por detyrim për të kontribuar.
Unë vij, në radhë të parë, nga Shkodra! Vij nga studimet në Pragë, në Oxford, nga ambasador në Tel Aviv dhe nga sistemi universitar! E gjitha kjo quhet përvojë dhe jo një ‘cen’! E, mbi të gjitha, unë vij nga Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” dhe kthehem sërish këtu.
Gjatë këtyre viteve që kam qenë në detyra të tjera jashtë Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, kam grumbulluar një përvojë profesionale dhe njerëzore, të cilën kam detyrimin ta vë në dispozicion të platformës time, nëse do të kem mundësinë të zgjidhem rektor!
Në përfundim të mandatit tim si rektor i Universitetit Europian të Tiranës, vihem në dispozicon të universitetit ku kam nisur karrierën, të qytetit tim dhe të komunitetit shkodran, për ta vënë këtë qendër universitare, në qendër të zhvillimit të qytetit e rajonit tonë!
Përvoja ime diplomatike si ambasador në Izrael dhe ajo si rektor në një instuticion privat të arsimit të lartë, si UET, besoj dhe shpresoj se më ka pajisur me një përvojë menaxheriale të mjaftueshme për t’i dhënë projektit të transformimit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” një fazë të re zhvillimi e rritjeje, koha e së cilës ka ardhur!
Ajo që thuhet se, unë vij nga jashtë stafit aktual dhe kandidon për rektor, si rasti im, është një MUNDËSI dhe jo një kufizim. Ndonjëherë ata që janë jashtë na shohin dhe njohin më mirë, kanë shans të kenë një projekt transformimi më të kolauduar dhe sprovuar, përtej rrethit të ngushtë që shpesh bëhet autoreferencial.
Besoni në fuqine time të network-ut!
Besoni në fuqinë time të kontaktit!
Besoni në fuqinë time të lobimit!
Sinqerisht,
Prof. Dr. Tonin Gjuraj
Kandidat për rektor i USH-së