Këto rreshta në vijim, janë më shumë për shkodranët, sidomos prindër të fëmijëve aktualisht studentë apo që aspirojnë të jenë studentë të Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës. Natyrisht, edhe për prindër jashtë Shkodrës, të cilët i kanë besuar apo do ti besojnë arsimimin e fëmijëve, këtij instutucioni të arsimit të lartë.
198 pedagogët e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, për gati një muaj, kanë mundur të njihen me alternativën e prof.dr. Tonin Gjuraj për administrimin e këtij institucioni për 4 vitet e ardhshme, nëse me 21 qershor 2024, do të marrë mbështetjen e trupës pedagogjike dhe të studentëve aktualë.
Nëse Tonin Gjuraj do të kandidonte në Gjirokastër apo Korçë, mbase do të kishte nevojë për prezantim. Në fakt, Gjuraj po rikthehet aty ku e nisi rrugëtimin para shumë viteve. Kthehet pas eksperiencave të jastëzakonshme në një nga universitetet absolutisht më të mira shqiptare, të cilat morën këtë përcaktim, pikërisht gjatë drejtimit si rektor nga Tonin Gjuraj.
Tonin Gjuraj ishte shef i marrëdhënieve me jashtë i Universitetit “Luigj Gurakuqi”, periudhë gjatë së cilës, u nënshkruan marrëveshjet më të rëndësishme dhe më frytsjellëse për këtë IAL. Tashmë rikthehet, duke patur mbi supe edhe emërtimin “ambasador”, me eksperiencë të shtuar edhe në fushën e diplomacisë.
Telegrafikisht, këto janë 5 shtyllat ku Prof. Dr. Gjuraj do të realizojë projektin e tij pas 21 qershorit 2024:
1. Shpëtimi i programeve të rrezikuara;
2. Zgjerimi i ofertës akademike, në mënyrë vertikale, me programe studimi, mbi ciklin e dytë të studimeve (studime të doktoratës) dhe poshtë ciklit të parë të studimeve (programe dy-vjeçare);
3. Avancim/kualifikim akademik me grada e tituj dhe 4 paketa trajnimi per stafin e drejtuesit e rinj;
4. Akreditim periodik institucional/global me Agjencinë Britanike të Sigurimit të Cilësisë – QAA;
5. Ngritja dhe financimi nga AKKSHI/MAS i 3 Qendrave Kërkimore, si njësi bazë;
Të gjitha këto, ndikojnë drejtpërdrejtë në rritjen e standardeve të Universitetit “Luigj Gurakuqi”, me përfitime të drejtpërdrejta të studentëve të sotëm e të nesërm, të cilët do të kenë në dorë diploma më të forta brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Cila është situata aktuale e universitetit tonë, nuk ka nevojë për shumë komente. Shkaqet e gjendjes së krijuar, janë të shumta. Por një gjë është e sigurtë: Duke qenë prej vitesh pjesë e problemit, është e pamundur të zgjidhsësh atë. Sidomos, kur problemet janë të shumta, si në rastin e Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Pa dashur të përmendim emra drejtuesish në të gjitha nivelet, ky IAL ka ardhur duke humbur shkëlqimin e tij. Asnjë drejtues nuk mund ti bëjë “kthesën” ose të paktën stopimin e fenomeneve negative.
Edhe diçka, kjo e sivjetmja, nuk ka qenë një garë e barabartë. Për shkaqe në dukje të pakuptimta por në fakt lehtësisht të identifikueshme, kandidatit Gjuraj nuk i janë miratuar nga KIZ as kërkesat më elementare për një garë të ndershme. Në fakt, nuk është përballje mes kandidatëve kjo e 21 qershor 2024. Është një përballje mes dy mentaliteteve diametralisht të kundërta të administrimit të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”. Mentalitetit aktual, të cilin e njohin, përjetojnë e vuajnë studentë e pedagogë dhe e mentalitetit të suksesshëm, bazuar në eksperiencat më të mira brenda Shqipërisë e më gjërë.
Besoj se për prindër (edhe pedagogë që po rrisin fëmijë) e studentë, zgjedhja është e lehtë: Tonin Gjuraj! Në fakt, të parët nuk kanë të drejtë vote, ndërsa vota e të dytëve nuk ka peshën e asaj të pedagogëve. Këta të fundit, duhet të bëjnë një zgjedhje të thjeshtë: Të kënaqen me rrogat apo “bonuset” e tjera (sirgurisht jo të gjithë) apo të bëhen pjesë e transformimit të domosdoshëm në Shqipërinë e Shkodrën e Mijëvjeçarit të Tretë! Me 21 qershor 2024 është momenti të ndahen qartazi vizionet sepse Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” nuk është i vetëm 198 pedagogëve që votojnë! /Shënim i ShkodraWeb/