Mrekullitë ndodhin rrallë por ndodhin! Kjo sa për të mbajtur gjallë, të paktën shpresën, në prag të sfidës me Spanjën ku na nevojiten 3 pikë pët të vijuar nëndrrën kuqezi në Euro 2024 në Gjermani. Ka një proverb të njohur shqiptare: Trimëria pas lufte e urtia pas kuvendit, nuk ka vlerë! Megjithatë, si tifozë të Shqipërisë, emi të drejtë të japim opinion në çdo moment.
Besojmë se problemi më i madh i kësaj Kombëtareje, është përgatitja psikologjike për pjesëmarrjen në fazën finale të Europianit. Më së shumti, për të frenuar maksimalisht euforinë, e cila ka ka burimin në kualifikimin relativisht të lehtë, si kryesuese e grupit tonë. Ekipi duhej të përgatitej konkretisht nga specialistë të fushës, sepse përballë kemi 3 gjigandë të futbollit europian e botëror: Spanjë, Francë e Kroaci, edhe pse fusha e blertë tregoi një ekip ballkanik vertetë të lodhur.
Ideja se “e kemi fituar kampionatin tonë me pjesëmarrjen në fazën finale të Euro 2024”, duhej të kishte vdekur në 2016- ën, kur edhe atëherë, ia dolëm të marrim tre pikë e sivjet, me një ekip të paktën në letër më të mirë, rrezikojmë të largohemi me vetëm 1 pikë nga Europiani. Ky është problemi real, i cili çuditërisht është mbizotërues, pavarësisht se të gjithë futbollistët tanë janë formuar e rritur si futbollistë në shkollat më të mira europiane.
Kush e instalon këtë mentalitet për tu kënaqur me minimumin e mundshëm atëherë? Në këtë kombëtare, më së shumti po e “mbjell” trajneri Silvinjo. Fatkeqësisht, kështu e shikojmë ne. Pas ndeshjes me Italinë dhe atë me Kroacinë, ai u shfaq thuajse i mallëngjyer për paraqitjet “e mira” të ekipit të tij. Në fakt, fusha e blertë tregoi se pavarësisht emrave, Italia e sidomos Kroacia, duhej të mundeshin nga kuqezinjtë. E pas deklaratave të Silvinjos, ekipi vijon e fle mbi dafina, duke ruajtur mentalitetin tonë shekullor “luajtëm mirë në disa fraksione, patëm rastet tona por ç’e do, humbëm”.
Në futboll dhe në çdo sport, vlejnë rezultatet, pikët. Ka ikur koha të kënaqemi me hapa breshke të rrugëtimit tonë, frikshëm i ngjashëm me rrugëtimet e Shqipërisë në shumë fusha, për shembull integrimi në Bashkimin Europian. Por nëse për këtë të fundit, përgjithësisht udhëheqin tash 34 vjet persona të lindur e formuar brenda 28 mijë kilometrave, në futboll udhëheqin të huaj, kryesisht italianë por edhe vende të tjera të zhvilluara.
Gabimet apo arritjet në futboll janë individuale por përgjegjësia, zhgënjimi apo suksesi, janë kolektivë pas tyre. Përgjegjësi individuale dhe me pasoja, në futboll ka vetëm një person: Trajneri!