Një lajm i trishtë këtë mëngjes për artin e kulturën shqiptare, ka ndërruar jetë poeti i njohur shqiptar Agim Doçi. Poeti i shquar, ishte shtruar në spital dhe ndodhej në gjendje të rëndë për jetën. Ai kishte pësuar një goditje ne tru dhe mjekët po bënin gjithçka për ta shpëtuar.
Agim Doçi ishte dërguar me urgjencë në spital dhe ndodhej në sallën e reanimacionit, nën mbikëqyrje maksimale ku në krye të ekipit të mjekëve të Spitalit të Neurologjisë nr.5 ishte vetë drejtoresha e re e QSUT, Alma Cani.
Poeti pësoi infarkt në tru dhe duke qenë se nuk ishte hera e parë, gjendja shëndetësore ishte e rëndë. Ndihma e parë iu dha menjëherë sapo ai ka mbërritur me urgjencë në spital, ndërsa më pas poeti 76 vjeçar ndodhej në sallën e reanimacionit ku dhe ndërroi jetë.
I cilësuar si një poet kollos dhe një ndër mendjet më të mprehta shqiptare, Agim Doçi ka lindur më 9 Maj 1948. Ai është diplomuar për Inxhinieri, por kishte një pasion të rrallë për letërsinë dhe ka krijuar më shumë se 3.000 tekste të këngëve që janë kënduar nëpër festivalet shqiptare. Për kontributin e tij të pashoq, Presidenti i ndjerë Bujar Nishani i dha titullin “Mjeshtër i Madh”.
ShkodraWeb i shpreh ngushëllime familjes Doçi për këtë humbje të madhe!