Të nderuar!
Është koha të falenderoj stafin akademik të USH-së dhe studentët që u bënë pjesë e zgjedhjes së autoriteteve drejtuese dhe anëtarëve të senatit akademik.
Votimet për rektor të datës 21 qershor dhanë një rezultat pa fitues pasi asnjëri prej kandidatëve nuk ka arritur të sigurojë shumicën e votave të vlefshme. Pika 11 e nenit 4 të Rregullores së zgjedhjeve kërkon që kandidati fitues të këtë siguruar shumicën e votave të vlefshme.
Rezultati i zgjedhjeve nuk i mundëson, pavarësisht dëshirave apo pritshmërive, asnjerit kandidat për të deklaruar fitore, aq me pak të “jashtzakonshme” dhe “cilësore”.
Diferenca mes meje dhe kandidatit Gjuraj është vetëm 1%.
Ndaj i bëj thirrje kandidatit Gjuraj të presim me qetësi zbatimin e procedurave që parashikon Rregullorja e zgjedhjeve, pa ushtruar presion mbi Komisionin institucional të zgjedhjeve.
E siguroj kandidatin Gjuraj se Universiteti i Shkodrës qysh në fillim të procesit ka siguruar ambjentet në të cilat ushtron detyrën Komisioni institucional i zgjedhjeve nepërmjet rojeve dhe kamerave të sigurisë, pa patur nevojë për ndërhyrje arbitrare të policisë bashkiake.
Personalisht, si rektore në detyrë, siguroj stafin akademik, studentët dhe maturantët se puna në Universitetin e Shkodrës vijon për realizimin e provimeve dhe diplomimit të studentëve dhe në të njejtën kohë po përgatit me seriozitet maksimal procesin e regjistrimeve të studentëve të rinj.
Falemnderit të gjithëve! /Nga Rajmonda KËÇIRA, rektore në detyrë e UNISHK, kandidate për rektore/