Në kuadër të edicionit të parë të programit “Të çelen Arkapijat” , më 22-23 qershor 2024, në qytetin e Shkodrës dyert e familjeve Shurdha, Zekaj, Çekaj, Jubani e Markagjoni, shtëpi-monumente kulture të kategorisë i pritën vizitorë, që u njohën nga afër me pinjollët e familjeve dhe historitë e tyre familjare. Priti vizitorë edhe kisha e Shën Rrokut në Shirokë.
Grupe vizitorësh patën rastin të vizitonin nga afër për herë të parë disa nga këto shtëpi, që janë monumente kulture të kategorisë I. Nisëm me shtëpinë e familjes #Shurdha, që trashëgimtari i saj i dha një përmasë të papërsëritshme çdo detaji. Dhoma-muze e kësaj shtëpie përbën në vetvete një pasuri historike të kësaj familjeje, përpos asaj arkitektonike. Vizita vijoi në familjen Zekja, e cila me fanatizëm ka ruajtur “odën e miqve”.
Pasditja ka vijuar në sarajet e Markagjonëve, një prej shtëpive legjendë të qytetit të Shkodrës. Vizitat janë mbyllur në shtëpinë e famijes Çeka, që, përpos historisë, të ofron edhe freskinë e saj, të menduar me aq kujdes nga të parët e kësaj familjeje. Këto shtëpi mbi 200-vjeçare, përtej peripecive gjatë dekadave, kanë ruajtur me fanatizëm atë çfarë është trashëguar në breza.
Disa nga elementet më tipike janë tavanet e varura me drunj të gdhendur, trapazani, musandra, oxhaku, muret e pikturuara etj. Falenderojmë familjen Çeka, Shurdha, Zekja dhe Markagjoni për mikpritjen, por mbi të gjitha gadishmërinë e treguar nga DRTK Shkodër, drejtuesen znj. Besara Podgorica dhe guiden arkeologun Helidon Sokoli.