Podcast-i i Bashkisë Shkodër “Gjurmë zërash” me gazetarin Ardian Hoti, ka vijuar rrugëtimin e tij edhe këtë javë. Një emër shumë i njohur i muzikës shqiptare, “Mjeshtri i Madh” Zef Çoba, ishte personazhi i radhës.
Me një eksperiencë të jashtëzakonshme si kompozitor, dirigjent, redaktor muzike në Radio Shkodra, krijues i korit “Rozafa Ekspresion”, Zef Çoba përfaqëson një autoritet të papërsëritshëm brenda e jashtë Shqipërisë, kudo ku jetojnë shqiptarët.
Krijimtaria e tij është shumë e gjërë dhe e shtrirë në kohë, në shumë raste bashkudhëtare e zhvillimeve të rëndësishme, siç ishte edhe lufta e Kosovës, çlirimi dhe Pavarësia e saj. Mjafton të përmendim himnin e ri shqiptar “Xhamadani vija- vija”, për të kuptuar vlerën e jashtëzakonshme të krijimtarisë së Zef Çobës.