Shefi i qeverisë Edi Rama ka shpërndarë sot në Theth 200 tituj pronësie të tokës ndërsa ka thënë se 90 të tjerë janë në proces. Në prani të kryebashkiakut Benet Beci dhe të ministres Kumbaro dhe drejtorit të FSHZH- së Agolli, Rama ka thënë se mbajti premtimin e dhënë 2 muaj më parë, me 30 prill 2024 në një tjetër takim pikërisht në Theth.
Shefi i qeverisë ka thënë se rruga e Dukagjinit do të përfundojë brenda këtij viti, duke krijuar mundësi të reja për banorët e zonës por edhe emigrantëve të investojnë në vendlindje. Thethi, ka thënë ai, është tashmë një atraksion europian i turizmit malor në Europë dhe jo thjesht dhe vetëm një fshat.
Kryeministri Rama ka folur edhe për gjobat e vendosura për ndërtimet në pronat e vendasve. Qeveria do të falë të gjithë këto gjoba sepse e kemi diskutuar dhe sic e thashë nuk janë tipikisht ndërtime të bërë abuzivisht për t’ju shmangur ligjit, ka thënë ai. Kryeministri ka nënvizuar se edhe “Paketa e Alpeve” është drejt përfundimit.