Ish-portierja e kombëtares së femrave të SHBA-ve, Houp Solo, ka deklaruar se ish-presidenti i FIFAs, Sep Blater, e ka ngacuar seksualisht atë, në ceremoninë e ndarjeve të çmimeve për Topin e Artë, në vitin 2013.
Solo ka deklaruar se Blater e ka prekur në një mënyrë të papërshtatshme, vetëm disa momente para se të ngjitej në skenë. “Sep Blater më kapi prapanicën. Ishin tek ceremonia e “Topit të Artë”, pak çaste para se të ngjitesha në skenë. Pas asaj ndodhie, isha totalisht e shokuar. Por, duhej të mblidhja veten pasi do dilja në skenë të festoja me shoqet e mia” – deklaroi ish-portierja.
Blater, sidoqoftë, përmes zëdhënësit të tij, i ka mohuar këto akuza: “Këto janë deklarata qesharake.”
Houp Solo, shfrytëzoi gjithashtu edhe rrjetin social Instagram, për të shfaqur mbështetjen e saj për fushatën që po ndodh kudo në botë, “#MeToo”, e cila ka si qëllim të rrisë ndërgjegjësimin ndaj ngacmimeve seksuale.