Dikush/disa po përpiqen me të gjitha mënyrat të ndotin atë pak imazh që i ka mbetur Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, më shumë në traditën e hershme të nisjes së aktivitetit të tij. Pas sorollatjes së pakuptimtë disa ditore në dyert e Komisionit Institucional të Zgjedhjeve- KIZ, tashmë kandidatja humbëse, rektorja e komanduar për shkak të një fatkeqësie që i ndodhi këtij IAL-je për shkak të një kamere të fshtë për drejtuesn e zgjedhur 4 vite më parë, Rajmonda Këçira ka ankimuar fitoren e rivalin të saj Tonin Gjuraj në Komisionin e Apelit- KA, që drejtohet nga një biologo- kimiste (shumë respekt për biologët e kimistët, por në kuptimin e vendimmarrjes juridike).
Askush nuk mund të mohojë të drejtën e çdokujt që merr pjesë në garë të ankimojë. Rektorja e komanduar Këçira, provoi ankimimin në KIZ dhe u rrëzua nga një shumicë anëtarësh, të cilët qartazi nuk ishin në krahun e rivalit të saj por nuk kishin nga të lëviznin nga ligjet, VKM- të e rregulloret e Ministrisë së Arsimit, të cilat shërbyen si bazë edhe për hartimin e rregulloreve të zgjedhjeve në Universitete. Se çfarë thotë kjo rregullore, mund ta shikoni më poshtë.
Ndërkohë, siç thamë, në zbatim të kësaj rregullore, IAL- të adoptuan rregulloret e tyre të zgjedhjeve, ku mund të shikoni përcaktimet në dy rregullore të tjera, atë të Universitetit të Vlorë dhe të Durrësit.
Të njëjtin përcaktim, ka edhe rregullorja e zgjedhjeve në Universitetin e Shkodrës dhe vetëm nëse je i verbër dhe analfabet të mos dish të dallosh se janë i njëjti përcaktim, sepse janë shkëputur nga rregullorja e Ministrisë së Arsimit që është adoptuar nga IAL- të.
Edhe më i padituri në jurisprodencë, arrin ta kuptojë se se pika 11 e kësaj rregulloreje, nuk është vazhdim i natyrshëm e logjik i pikës 9 por duhet të marrë e lidhur me pikë paraardhëse, atë 10 dhe madje, edhe me të, ka një paradoks logjik. Ndoshta nga padija juridike e hartuesve, ndoshta edhe për të qenë si “litar Nastradini” që të përdoret në të ardhmen, siç po tentohet të përdoret sot.
Ajo që është më e rëndësishme, është zbatimi në praktikë i pikës 9, madje edhe në këto zgjedhje të 21 qershorit në universitetet publike. Më poshtë, keni dy vendimet e KIZ- eve të Vlorës dhe Durrësit dhe shikoni përqindjen me të cilën janë shpallur fitues rektorët: Durrësi me 37,09% dhe Vlora me 35,2% të votave.
Tonin Gjuraj u shpall fitues i zgjedhjeve me rreth 48% të votave të të gjithë studentëve, pavarësisht një fushate jo “fair” të kandidatëve dhe problematikave tashmë të njohura.
Nëse nuk ka ndonjë gjë tjetër në pjesën e padukshme, zgjatja e pakuptimtë e një procesi të tillë, sidomos nga një rektore në detyrë, edhe pse e komanduar, që presupozohet se njohuritë elementare, edhe juridike të procesit të zgjedhjeve të paktën në universitete, për shkak të pozicionit por edhe interesit si pjesëmarrëse sivjet e si mbështetëse vitet e kaluara, kjo nismë duket se synon ta ndajë Universitetin e Shkodrës nga të tjerët, mbase edhe nga Shqipëria, duke kujtuar sloganet e turpshme “Shkodra Republikë”.
Nëse duan të qendrojnë në linjën e ligjshmërisë dhe precedentëve të freskët, edhe 5 anëtarët e KA- së pasditen e kësaj të marte, e kanë të lehtë të vendosin, të marrin vendim. Duke nisur nga ligji, VKM- të, rregulloret e Ministrisë së Arsimit, rregulloret e IAL- ve të tjera, të universitetit “Luigj Gurakuqi”, ka një bazë të konsoliduar për vendimmarrje. Gjithmonë nëse parësor është interesi i kësaj IAL- je, pedagogëve, studentëve, shkodranëve, Shkodrës e shqiptarëve të Shqipërisë.
Nëse “skema” parapërgatitur ka synime të tjera, mbase të paraprogramuara, atëherë shumica e antarëve të KA- së duhet të kuptojnë se janë në konflikt të pastër interesi me rektorin e zgjedhur Tonin Gjuraj. Publikisht ai u ka kujtuar disa pedagogëve, se për shkak të përzgjedhje/emërimit të tyre, nuk mund të jenë pjesë e trupës votuese të pedagogëve, aq më pak, të japin vendim për procesin e zgjedhjeve. Disa prej tyre, sot duhet të marrin në shqyrtim aktin final, të panevojshëm të zgjedhjeve në këtë IAL. Sot, ata kanë mundësinë të japin fund një sage aspak dinjitoze për universitetin e Shkodrën, të shpëtojnë atë pak imazh që i ka mbetur “Luigj Gurakuqi”, duke zyrtarizuar vullnetin e pedagogëve e studentëve, i shprehur me votë dhe pasi ka kaluar në KIZ, antar i të cilit është jo vetëm një jurist i njohur si Gaspër Kokaj por edhe zëvendëskryetar i KQZ- së për dita vite.
E nëse këta 5 anëtare vendosin të kthehen në “kamikazë”, do të jenë subjekt e objekt i prokurorisë, i SPAK dhe agjensive të tjera ligjzbatuese të këtij vendi. Ata që e kanë provuar thonë se është shumë e vështirë të bësh burg, sidomos për dikë tjetër, për interesin e dikujt tjetër, pavarësisht “shpërblimit” të marrë apo të para marrë, të premtuar apo hamendësuar.