Siç ishte e kuptueshme, edhe Komisioni i Apelimit të Zgjedhjeve në universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” ka vijuar në rrugën e ligjshmërisë, ashtu si edhe niveli i parë, KIZ-i.
Kandidatja humbëse, Rajomonda Këçira, rektore e komanduar pas telasheve që i ndodhën kësaj IAL- je me drejtuesen e zgjedhur 4 vite më parë, kishte ankimuar vendimin e KIZ-it, duke pretenduar se kandidati fitues me 21 qershor, prof. dr. tonin Gjuraj, nuk kishte marrë 50%+1 të votave të trupave zgjedhore.
Seanca e Komisionit të Apelimit, ka zgjatur fare pak minuta. Këçira ka riprezantuar ankimimin e saj duke folur krejt shkurt. Pas saj, ka dhënë objeksionet e tij kandidati fitues Gjuraj, bazuar të ligje, rregullore të Ministrisë së Arsimit, të zgjedhjeve në universitete dhe precedentët edhe të zgjedhjeve të fundit.
Pasi ka dëgjuar palët, komisioni i përbërë nga 5 zonja (edhe kjo vertetë risi), është tërhequr për të marrë vendimin. Në fund, vendimi ka qenë i qartë, 5- 0, duke rrëzuar ankimimin e kandidates Këçira. tashmë, merr fund në të gjitha kuptimet një sagë e panevojshme zgjedhjesh, e cila normalisht, duhet mbyllur jo më vonë se 24 orë nga data e zgjedhjeve, 21 qershor 2024.