Sezoni turistik veror, rrezikon të jetë një fiasko e madhe për pjesën më të madhe të bregdetit shqiptar nga Velipoja në Sarandë. Më së shumti në plazhet e jugut por edhe atë të veripërendimit, raportohet për një rënie të rëndësishme të numrit të pushuesve. Disa operatorë turistikë madje, shprehen se këtë korrik ka më pak pushues së në qershorin e kaluar ndërsa nuk janë aspak optimistë edhe për gushtin.
Natyrisht, parashikohej një tkurrje e numrit të turistëve, sidomos të atyre që vijnë nga Kosova. Liberalizimi i vizave ka ndikuar që mjaft kosovarë të kërkojnë plazhe të tjera, aty ku deri dje nevojitej një vizë për të pushuar. Cilësia e shërbimeve, dukshëm është më e mirë se ajo që ofrojnë plazhet shqiptare. Nisur edhe nga tradita më e gjatë por edhe personeli më i kualifikuar.
Por dëmim më të madh, operatorët turistikë ia kanë bërë vetes. Nisur nga viti i kaluar, i cili për hir të realitetit ishte mjaft i suksesshëm, çmimet e rritën ndjeshëm. Ndoshta edhe për shkak të pritshmërive të larta, për rreth 15 milion turistë në vend. Nga bregu i detit, shezlongë e çadra tek baret e restorantet e deri tek dhomat e fjetjes, çmimet janë rritur mesatarisht 50% krahasuar me një vit më parë.
Sidomos në jugun e vendit, flitet për çmime deri në 100 euro për shezlonge e çadra ndërsa një gjysëm litri ujë mineral në shishe plastike, arrin deri në 230 lekë të reja. E njëjta gjë me ushqimet dhe me dhomat e fjetjes, hotele apo edhe shtëpi. operatorët turistikë kanë harruar se pushuesit vertetë mund të llogarisin të harxhojnë më shumë por jo të marrin kredi për pushime ose të punojnë 1 vit për 10 ditë pushime.
E gjithë kjo nga mungesa e eksperiencës apo edhe traditës në turizëm, në jo pak raste dhe nga babëzia e operatorëve turistikë për të nxjerrë fitime jo normale stratosferike. Pamjet e shezlongëve bosh në shumë plazhe të vendit, janë vajtuese. Përveç fitimit të munguar të operatorëve turistikë, janë më pak para të futura në ekonominë shqiptare, më pak taksa e tatime në arkën e shtetit.
Nëse ky vit, siç janë pesimistë shumë operatorë turistikë, është i dëstinuar të jetë i dështuar, të paktën të mendohet për sezonin tjetër. Edhe rreth e rrotull Shqipërisë, ka plazhe, me sherbime më cilësore, me traditë edhe më të konsoliduar por nuk janë në këtë nivel çmimesh. Sidomos po të krahasosh nivelin e sherbimeve me çmimet që ofrohen. Ndoshta ky sezon, mund tu bëhet mësim pasi pësuan.