Së afërmi del nga shtypi “Prendimi i andrrimeve”, përgatitur nga Lisandri Kola, ribotim i përmbledhjes poetike të poetit Gasper Pali, pajisur me shënime të hollësishme nga Lisandri Kola, me fotografi, materiale faksimile dhe një intervistë.
Pali i takon atij grupi autorësh të viteve ‘30- ‘40 që patën fatin e keq të kenë një jetë të shkurtër, një poezi të pakët në vëllim, të botuar kryesisht në organet e shtypit, por me vlera të vëna në dukje që në botimin e parë. Ai shuhet nga tuberkulozi në moshën 27-vjeçare.
Gasper Pali është ndër ata autorë që gjatë gjysmës së dytë të shekullit të shkuar nuk u mohuan, por që si pasojë e mungesës së botimeve dhe pëfshirjes në antologjitë shkollore, mbetën pak të njohur nga lexuesi i gjerë. Poezia e Palit përqendrohet te dialogu me vetveten, dhe ndjeshmëritë e tij të larta, bashkë me elementet më personale dhe intime. Vlerën e poezisë së Palit e shënjoi edhe periudha në të cilin ai shkroi, periudhë mjaft e rëndësishme në dialogun e letërsisë shqipe me poetikat bashkëkohore perëndimore.
Falënderojmë Lisandri Kolën për përkushtimin intelektual. Përgatitja grafike: Ervin Bërxolli. /Publikuar në Facebook nga BERK/