Pavarësisht ankesave dhe akuzave të islandezëve, ndeshja e kthimit të turit të parë eliminator të Ligës së Konferencës mes Vllaznisë dhe Valurit, do të zhvillohet në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. “Panorama Sport” mëson se UEFA ka pasur së fundi një takim “online” me drejtuesit e të dy klubeve për të diskutuar rreth çështjes së sigurisë në ndeshjen e së enjtes dhe jo vetëm. Drejtuesit e Vllaznisë kanë dhënë garanci të plotë për sigurinë e ekipit mik, që pati pretendime për kërcënim nga ana e shkodranëve pas ndeshjes së parë. Drejtuesit e Valurit hodhën akuza se stafi i Vllaznisë kishte ushtruar presion tek arbitrat pas përfundimit të ndeshjes, madje edhe se këta të fundit ishin pështyrë. Pati incidente në fakt edhe me disa tifozë të Vllaznisë të cilët ishin të pranishëm në stadium, por klubi shkodran menjëherë u distancua prej tyre. Në kushte të tilla, UEFA organizoi takimin “online”, ku mori garancinë e drejtuesve të Vllaznisë për ndeshjen e së enjtes në “Loro Boriçi”.
NDRYSHIM ORARI – Por drejtuesit e Valurit nuk janë mjaftuar me kaq. Ata kanë kërkuar nga UEFA që të ndryshohet edhe orari i ndeshjes së kthimit në Shkodër. Kjo sfidë është programuar që të nisë në orën 18:00, kur në Shkodër temperaturat do të jenë mjaft të larta dhe për ekipin islandez do të jetë vërtet problem, sepse nuk është mësuar me këto temperatura. Nga përfaqësuesit e Valurit është kërkuar që ndeshja e së enjtes të startojë nga ora 20:00 e më pas. Në parim ka një akord që të luhet në 20:30, por mbetet të shihet se çfarë vendimi do të marrë UEFA në lidhje me çështjen e orarit. Për Vllazninë do të ishte një favor në raport me kundërshtarin, nëse ndeshja do të fillonte në orën 18:00, pasi është stërvitur pak a shumë me temperatura të tilla të larta.
ARBITRAT – Një ndryshim tjetër sa i takon sfidës mes Vllaznisë dhe Valurit është ai i arbitrave. Edhe ky ndryshim është bërë me kërkesën e klubit islandez. UEFA fillimisht kishte vendosur që ndeshja në Shkodër të gjykohej nga Kamal Umdlu nga Azerbajxhani, por së fundi ka vendosur që ndeshja të gjykohet nga një treshe arbitrash italianë, me kryesor Simone Soza. Asistentë të tij do të jenë Davide Imperiale dhe Filipo Berçilji, kurse arbitër i katërt do të jetë Antonio Rapuano. Ndryshimi është bërë me argumentin se arbitri nga Azerbajxhani, Kamal Umudlu, nuk kishte shumë eksperiencë në arenën ndërkombëtare për të gjykuar një sfidë me koeficient të lartë vështirësie, si kjo mes Vllaznisë dhe Valurit. Kujtojmë që pas ndeshjes së parë në Islandë shkodranët patën rezerva për gjykimin, pasi goli i barazimit u shënua në minutën e 100-të, ndërkohë që Vllaznia e mbylli me 10 lojtarë, pas ndëshkimit me karton të kuq të Deliut. /Nga Admir URUÇI, PanoramaSport/