U çel sot në Shkodër, konkursi ndërkombëtar i arkitekturës, ku 5 studio të mirënjohura europiane po prezantojnë përpara jurisë projekt-idetë për Rozafën e re, e cila do ta ripërtërijë e zgjerojë hotelin kryesor të qytetit, me një kapacitet të ri për Shkodrën e cila nga dita në ditë po fiton përmasa të reja të një destinacioni të Shqipërisë Turistike.
Në ceremoninë e prezantimit të studiove pjesëmarrëse, mori pjesë edhe kryeministri Rama, i cili tha se ajo çfarë do të ndërtohet “nuk është thjeshtë një objekt privat, por është një objekt që synojmë të krijojmë një ikonë të këtij shekulli për Shkodrën, e cila është shumë e pasur me monumente, është shumë e pasur me gjurmë të historisë, ku çdo brez ka lënë gjurmën e vet dhe ku kjo ndërtesë do të jetë një gjurmë, e cila do t’i shtohet kësaj trashëgimie të Shkodrës për brezat që vijnë.”
Studiot pjesëmarrëse janë: Benedetta Tagliabue – EMBT Architects nga Barcelona; Kuehn Malvezzi Architects nga Berlini; Selgascano Architects nga Madridi; Baukuh Architects nga Milanov dhe Piero Lissoni & Partners nga Milano
FJALA E KRYEMINISTRIT RAMA
Mirëmëngjesi të gjithëve! Së pari, mirë se erdhët në këtë konkurs, konkurrentëve dhe anëtarëve të jurisë. Është një privilegj i madh t’ju kemi të gjithëve këtu! Është po kështu një kënaqësi e jashtëzakonshme të shohësh një ngjarje kaq të madhe që ndodh në Shkodër.
Është një moment i mrekullueshëm për të qenë sot këtu pas një përgatitjeje të gjatë dhe mjaft serioze që ka nisur bashkia e Shkodrës, së bashku me kryetarin e saj, Benet dhe Agustini, së bashku me brezin e ri të familjes që e kanë marrë fjalën.
Pra, është vërtet e rëndësishme përgatitja për këtë konkurs ndërkombëtar, i cili, siç tha kryebashkiaku, është i pari i këtij lloji që bëhet në qytetin e Shkodrës. Është shprehje e ambicies së re për Shkodrën, e cila ka filluar të rilindë hap pas hapi, në mënyrë të qëndrueshme dhe mjaft të vendosur. Ky konkurs ka një vlerë të veçantë edhe për faktin që marrin pjesë edhe 5 studio të mirënjohura ndërkombëtare me reputacion të padyshimtë dhe nga ana tjetër sepse do të sjellë 5 mundësi, një ndër të cilat do të zgjidhet nga juria për të ndërtuar një objekt i cili nuk është thjesht një objekt privat, por është një objekt që ne synojmë të krijojë një ikonë të këtij shekulli për Shkodrën e cila është shumë e pasur me monumente, është shumë e pasur me gjurmë të historisë ku çdo brez ka lënë gjurmën e vet dhe ku kjo ndërtesë do të jetë një gjurmë e cila do t’i shtohet kësaj trashëgimie të Shkodrës për brezat që vijnë.
Nga ana tjetër është pjesë e një vizioni shumë më të gjerë që kombinon së bashku investimet publike të cilat për Shkodrën dhe për gjithë këtë territor që shkon deri lart në Thethin e mrekullueshëm apo që shtrihet deri në kufirin me Malin e Zi, po shtohen dita-ditës dhe patjetër që duke konsideruar domosdoshmërinë e një lidhjeje shumë të shpejtë dhe shumë të sigurt të Shkodrës qoftë me veriun lart, qoftë me Tiranën dhe me jugun, kryesore mbetet sfida për ndërtimin deri në Murriqan të Korridorit Blu i cili tanimë e ka një segment të përfunduar dhe të prekshëm për të gjithë në aksin Thumanë-Kashar, por që do të vazhdojë me segmente të tjera që do lidhin praktikisht Balldrenin me Milotin, Milotin me Murriqanin dhe sigurisht edhe pastaj Balldrenin me Thumanën.
Për të gjitha këto, ne i kemi të qartë edhe hapat edhe në ndërkohë një pjesë të rëndësishme të punës për projektet e kemi bërë dhe për pak ditë do të lidhen edhe kontratat e reja për segmentet me poshtë nga Thumana në Kashar tanimë e kemi, nga Kashari pastaj në Rrogozhinë, nga Rrogozhina në Fier dhe kështu koha e lidhjes së Shkodrës me Tiranën, brenda kësaj dekade do të jetë rreth 40-45 minuta, ndërkohë që koha e lidhjes së Shkodrës me jugun poshtë do të jetë sa ç‘është sot koha e lidhjes me Tiranën, pra do të mund të shkohet deri në Vlorë për 2 orë, megjithëse sot koha është me e shkurtë në fakt se lidhja me Tiranën, se e provova dhe vetë dhe kështu me radhë me të gjitha projektet e tjera.
Dua në mbyllje të përshëndes në mënyrë të veçantë një mik tanimë të sprovuar të Shkodrës, një arkitekt që është pjesë e komunitetit fantastik të arkitektëve ndërkombëtare që ne kemi krijuar në Shqipëri, Jesus Hernandez i cili është autori i veprës publike në Shirokë dhe që po i jep dorën e fundit edhe projektit për muzeun e Kujtesës që do të jetë një vlerë e shtuar sikundër e kemi premtuar së bashku me Benetin për qytetin e Shkodrës.
Shumë faleminderit dhe një herë të gjithë konkurrentëve, faleminderit edhe miqve të ftuar ndërkombëtarë të jurisë. Faleminderit edhe të gjithë të tjerëve që jeni këtu për të ndjekur këtë event i cili është një event historik për Shkodrën në sensin që thashë qysh në fillim, sepse nga ky event fillon lënia e një gjurme të re për brezat që vijnë dhe dua të përshëndes dhe të falënderoj në mënyrë të veçantë Agustinin, familjen e tij, brezin e ri të familjes, për faktin që u treguan shumë të hapur për të organizuar dhe për të financuar konkursin në mënyrë që vërtetë, ajo që do të bëjnë është një investim i tyre privat, por ndërkohë falë këtij konkursi është edhe një përpjekje e përbashkët me bashkinë dhe shpresoj dhe besoj që do të kemi tanimë të tjerë evente si ky, do sfidohet edhe me shumë Pjerin Ndreu në Lezhë që ka kaq kohë që përpiqet ta kthejë Lezhën në një qendër më të rëndësishme se Shkodrën. E ka shumë më të vështirë, por megjithatë jam i bindur se duke parë nga Shkodra, do mësojë edhe do i çojë më tutje edhe planet e veta ambicioze.
Faleminderit!