Mbrëmë edhe një herë si pothuajse gjithë sezonet e fundit, u tregua se futbolli shqiptar është në nivel AMATOR! Ekipet e Superligës sonë u eleminuan një nga një, përveç Partizanit që nxorri nga gara një ekip më amator se ato shqiptare siç ishte skuadra malteze.
Personalisht nuk jam aspak i surprizuar sepse në vite, ekipet shqiptare kanë vetëm dështime në Europë. Përjashto këtu vetëm SKËNDERBEUN, që për një periudhë 4-5 vjeçare nderoi emrin e futbollit shqiptar duke u kualifikuar edhe dy herë në grupet e EUROPA LEAGUE. E pastaj i futën shkopinjtë nën rrota, por histori tjetër ajo… E pse vjen ky dështim i ekipeve shqiptare?
1.Klubet tona drejtohen nga njerëz që nuk kanë thuajse aspak lidhje me futbollin. Njerëz sharlatanë e mendje mëdhenj, nuk flas këtu për presidentët sepse ata nuk duhet të marrin vesht nga futbolli, por duhet të kenë xhepat plot e të dinë të zgjedhin njerëzit e duhur. Flas këtu për drejtorë sportivë, trajnerë që i ngjanë më shumë sekserëve.
2.FSHF, e cila është e përqendruar vetëm tek kombëtarja. Ka mëkate të mëdha përsa i përket kampionatit sepse licenson ekipe pa stadiume, pa lojtarë, pa financa e plot borxhe.
3.Ekipet pa projekte. Siç e theksova vetëm Skënderbeu kishte një ide europiane. Të tjerët janë sa për të kaluar “rradhën”. Klube me kontrata 1-vjeçare, ku çdo fillim qershori ka nga 13 largime e 13 afrime për çdo skuadër.
Ka edhe shumë arsye të tjera, por po të shkruash nuk mbaron kurrë. Megjithatë dihet tashmë një fakt për futbollin shqiptar. Ku futbollistët paguhen si profesionistë e luajnë si amatorë. /Nga Endri ÇINARI, gazetar, publikuar në Facebook/