Nuk është asnjëherë lajm i mirë kur një person i jep fund jetës. Pavarësisht rrethanave dhe shkaqeve, një lajm i tillë ngjall trishtim, e ke njohur ose jo, nga afër apo nga larg atë person. Në rrjete sociale, për rastin fatkeq të një personi, në rrjetet sociale ka gati- gati ngazëllim për humbjen e jetës së një njeriu këto orët e fundit. vetëm për një arsye, emri i tij është i lidhur me atë të…mikrokredive.
Në faqen zyrtare të Bankës së Sqhipërisë në internet, konstaton se janë 25 institucione financiare jobanka të licensuara në Shqipëri. Në po të njëjtën faqe, në një tjetër listë, vëren se janë 14 institucione financiare jobanka që u është hequr licenca nga Banka e Shqipërisë, e cila kontrollon licensimin dhe aktivitetin e tyre.
Këto mekanizma financiarë, kanë dekada që ushtrojnë aktivitet në Shqipëri, ndërsa duket se këto kohë, ka ardhur momenti që shteti dhe strukturat e tij, “të zgjohen nga gjumi” letargjik. Edhe këto “shushunja”, nuk janë shpikje shqiptare por janë fenomene që kanë shoqëruar dhe shoqërojnë edhe vendet përendimore.
Në nevojë për para, qytetarët joshen nga reklama të tipit “me vetëm një kartë krediti, për 10 minuta, merr në dorë 2 milion lekë të vjetra”. Procedurat e bankave, të cilat në jo pak raste janë në nivele shumë të larta sorollatje për dokumente e dorëzanës që duhen paraqitur, bëjnë që për nevoja emergjente, qytetarët ti drejtohen mikrokredive.
Por edhe në këtë rast, “dardha e ka bishtin pas”. Aktualisht, rreth 17 mijë qytetarë mund të konsiderohen në grackën e mikrokredive! Për llogari të kompanive të mikrokredive, teksa qytetarët nuk kanë mundësi të paguajnë, janë bllokuar prona me vlerë deri në 500 fish të detyrimit. Nuk kanë munguar edhe rastet, kur qytetarët i kanë dhënë fund jetës pikërisht për shkak të presionit nga mikrokreditë.
Banka e Shqipërisë ka tagrin të licensojë kompanitë e mikrokredive. Por nuk duhet të mjaftohet me kaq. Duhet disiplinuar e mbajtur nën kontroll norma e interesit por edhe pasojat që mund të kenë klientët në pamundësi të shlyrjes së mikrokredive. Shteti duhet të garantojë të ardhura të paprekshme as nga bankat e as nga jobankat, që një individ apo familje të mund të jetojë, të ketë një strehë mbi kokë. Banka e Shqipërisë dhe tatim- taksat, nuk duhet të kënaqen vetëm me pagesat e përvitshme të licensimit e detyrimeve ndaj shtetit. Aspekti social është shumë më i rëndësishëm se fitimi i munguar i një kompanie që ka synim rrjepjen e qytetarëve.
Është mjaft vonë ky “zgjim” nga “gjumi për 7 palë qejfe” i shtetit. Por të paktën, ta nisë punën nga marrja në mbrojtje financiare e shtetasve të vet, më pas, të kalojë në sitë kompanitë e mikrokredive. Nëse është e nevojshme, të kalohet me ugjencë ndryshim ligji apo edhe ligj i ri. Nuk duhet harruar se kolapsi ekonomik i piramidave në këtë vend, solli edhe vitin 1997, pasojat e të cilit i vuajmë edhe sot. /Nga Blerti DELIJA/