Gjyqtari shkodran Besnik Hoxha, i cili u konfirmua në detyrë me shumicë votash një vit më parë në KPK, është i njohur si një nga anëtarët e trupës që gjykoi çështjen dhe u dha pafajësi gardistëve të akuzuar për vrasjet në protestën e 21 janarit.
Vendimi i KPK-së për të konfirmuar Hoxhën u kundërshtua nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe më pas u ankimua nga Komisioneri Publik, i cili pretendon se vendimi i KPK-së është i cënueshëm në të tri kriteret e rivlerësimit.
Sipas KPA, Hoxha ka kryer deklarim të pasaktë e të pamjaftueshëm për pasurinë.
NJOFTIMI I KPA
Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryesuese, Sokol Çomo relator, Ina Rama, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj anëtarë, shpalli vendimin për çështjen nr. 39/2023, datë 04.09.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit nr. 661, datë 18.05.2023, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Besnik Hoxha.
Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, shkronja “b” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi:
Ndryshimin e vendimit nr. 661, datë 18.05.2023 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe shkarkimin nga detyra të subjektit të rivlerësimit Besnik Hoxha.
Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.