Kurani ka një kapitull të tërë dedikuar darkës së fundit. Është një ngjarje e ngarkuar me kuptim dhe simbolikë. Aty zhvillohet një komunikim intensiv ndërmjet Zotit, Jezusit dhe dishepujve. Jezusi merr prej dishepujve besën se do të jenë ndihmëtarë të tij dhe i kërkon Zotit një tryezë (nga e merr emrin edhe kapitulli Tryeza) si gosti nga qielli për këtë besëlidhje. Zoti ia plotëson këtë lutje profetit të Tij dhe i premton se besimtarët e grigjës së tij do të jenë gjithmonë më lart se armiqtë dhe urrejtësit e tyre.
Rreth kësaj tryeze zhvillohet një arkitekturë juridike dhe metafizike spektakolare që është kodifikuar në një aparat retorik marramendës. Studiuesi belg Michel Cuypers ka një libër voluminoz me një analizë të gjerë dhe të thellë të kompozimit retorik të sofistikuar të këtij kapitulli kuranor.
Për ne myslimanët, cënimi dhe çshenjtërimi i Jezusit, dishepujve dhe darkës së fundit është një akt i shëmtuar blasfemie dhe herezie. Liria e të pacipëve dhe të pamençurve nuk mund të bëhet vlerë. Është detyrë e një bashkësie, shoqërie dhe mënyre jetese të përgjegjshme që të shquajnë dhe shenjojnë kufirin ndërmjet lirisë dhe marrëzisë.
Jezusi, dishepujt dhe darka e fundit nuk po i bëjnë asgjë të keqe Francës e askujt tjetër në botë. Fyerja, persekutimi dhe vrasja e profetëve dhe besimtarëve vetëm pse thonë se Zoti i tyre është Allahu/Elohu/Ati është krim i pashlyeshëm dhe mëkat i pafalshëm te Zoti.
Shqipëria nuk mund ta marrë për model këtë frymë satanike dhe tiranike ndaj fesë. /Nga Vehap KOLA, publikuar në Facebook/