A mjafton miti dhe tradita mikpritjes për ta konsideruar të mirëqenë edhe në sherbimet turistike? Ndërkohe që qasja e përgjithshme e sjelljes së komunitetit ndaj turistëve për t’ju gjendur tjetrit pa interes, vlerësohet pozitive dhe e veçantë nga turistët dhe një vlerë autentike e ofertës sonë turistike, në ofrimin e sherbimeve të ndryshme turistike, gama e sjelljes ndaj konsumatorit në spektrin e gjërë të bizneseve dhe territorit përfshin edhe raste me nuanca të tentativave për përfitime deri në abuzime apo në injorimin e të drejtave të konsumatorit.
Një vëzhgim interesant nga Franc Nopca një shekull më parë për disa karakteristika të sjelljes së shqiptarëve e ndër të tjera:
“Kur një shqiptar i premton dikujt këtë ose atë pa shpërblim dhe për miqësi, atëhere mund të jemi të sigurt që do ta bëjë, ose sipas mundesive, do ta provojë, por kur premton diçka vetëm për shpërblim atëhere si arapçi praktik dhe esëll e vlerëson si një pagesë gjithmonë pa rëndësi për sherbimin që bën dhe, atëhere, vepron, sikurse ai që kërkon sherbimin, lakmon të paguajë sa më parë dhe të përfitojë sa më shumë nga sherbimi”.
Interesante është se edhe në vitet 2000, një menaxher austriak i Rognerit vinte re problemet e sherbimeve dhe kërkonte një qasje më të mirë, duke ofruar trajnime të vazhdueshme stafi, duke theksuar se: Mikpritja e shqiptarëve mbaron tek shtëpia e tyre. Në industrinë e mikpritjes shoh sjellje tjetër…
Siç duket kombinimi i traditës së mikpritjes me motivimet e trashëguara për të qenë të “suksesshëm” , “të shkathët” (shpesh herë dhe “mbijetues”) ndaj të tjerëve dhe në biznes, nuk mjaftojnë për të ndërtuar një profil mikpritje në bizneset individuale e për të ndërtuar një profil të destinacioneve mikpritëse në turizëm.
Eksperienca, dijet, profesionalizmi dhe etika në biznes janë të nevojshme për tu konsoliduar si në industrinë turistike dhe në destinacionet lokale. Jo vetëm nuk duhet ta humbim frymën e mikpritjes që vjen nga tradita por dhe ta kultivojmë në industrinë e mikpritjes. Të gjithë turistët duhen mikpritur! /Nga Luan DERVISHEJ, ekspert turizmi, publikuar në Facebook/