Këshilli Bashkiak i Shkodrës ka ndërprerë mbledhjen e radhës, atë të ditës së sotme, 31 korrik 2024. Ajo ka nisur pak minuta pas orës 17.00, kur ishte njoftuar se do të fillonte.
Ndërsa kryetari i Këshillit Bashkiak Oltion Luli, njoftonte rendin e ditës dhe futjen e dy projektvendimeve të ardhura nga administrata bashkiake, kanë reguar menjëherë këshilltarët e PD- së Florian Bjanku, Irena Shestani dhe Eliona Shkrela.
Ata kanë kërkuar të mos futen në rendin e ditës dy projektvendimet e ardhura, ndërsa kanë tërhequr vëmendjen në respektimin e afatit 5 ditor të njoftimit të mbledhjeve të këshillit. Po ashtu, ata kanë kërkuar që kryebashkiaku Beci të jetë i pranishëm, ndërsa kryetari Luli ka sqaruar se për arsye impenjimesh, titullari i bashkisë e ka të pamundur pjesëmarrjen, teksa ka sjellë në vemendje praninë e dy zëvendëskryetarëve Beka dhe Bejleri si dhe të drejtorëve.
Zëvendëskryetari Bejleri ka sqaruar se projektvendimet janë futur në rendin e ditës për të ndihmuar familjet që janë dëmtuar nga zjarret për tu akorduar mbështetjen financiare sipas mundësive.
Me votat e mazhorancës së këshillit, u miratua rendi i ditës dhe u votua projektvendimi për 6% të ndihmës ekonomike që jepet nga ky forum dhe menjëherë më pas, këshiltarët e PD- së u larguan nga salla. Në atë moment mbledhja u ndërpre pasi nuk kishte kuorum, të paktën 26 këshilltarë, që të vijonte.
Pas një ndërprerje prej disa minutash, mbledhja ka rifilluar sërish pasi ëshrë ribërë kuorumi i nevojshëm prej 26 këshilltarët. Në vijim, janë miratuar pikat e rendit të ditës.
PS dhe PSD, së bashku kanë 30 vende nga 51 në total Këshilli Bashkiak i Shkodrës. Si opozitë, PD është në të drejtën e vet të ketë qendrime politike, siç ishte rasti i mbledhjes së sotme. Detyrimin për garantimin e funksionimit normal të këtij forumi, e kanë pikërisht PS dhe PSD, ku më pak të përgjegjshëm duket se janë pikërisht socialistët. Mungesa e kuorumit, është “sëmundje” e kahershme, e cila mesa duket po rikthehet.