Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, për një aksident në aksin rrugor “Velipojë-Rrjoll”, informojmë se specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, për drejtuesin e motomjetit, shtetasin K. M., 72 vjeç.
Sektori i Policisë Rrugore referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin K. N., 49 vjeç, banues në Gjermani, pasi ditën e djeshme, duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin dhe automjeti ka dalë nga rruga.
Gjithashtu, nisi procedimi penal për një 15-vjeçar, pasi me motomjetin që drejtonte ka përplasur biçikletën me të cilën po lëvizte shtetasja F. K., 64 vjeçe.
Policia Kufitare referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin D. M., 29 vjeç, banues në Angli, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë”, pasi gjatë kontrollit në automjetin e tij, në PKK Hanit i Hotit, shërbimet e Policisë kanë gjetur një shumë parash të padeklaruar.
Komisariati i Policisë Shkodër arrestoi shtetasit:
– G. F., 23 vjeç, banues në fshatin Shtoj i Ri, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së tij;
– S. L., 55 vjeç, banues në Shkodër, pasi ka bërë kallëzim të rremë.
Stacioni i Policisë Velipojë referoi materialet në Prokurori, ku filloi procedimi penal për shtetasin A. V., 48 vjeç, banues në Shkodër, pasi gjatë kontrolleve të ushtruara në subjektin e tij, në Velipojë, rezultoi se fshihte të ardhurat e përfituara.
Posta e Policisë Theth referoi materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin E. Th., 28 vjeç, banues në fshatin Theth pasi nga kontrollet dhe verifikimet e kryera në bashkëpunim me shërbimet e OSHEE-së, u konstatua se në biznesin e tij kishte lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.