Atë kangën popullore “Metelikun ta kam falë…” e njeh shumëkush por ndoshta jo të gjithë e dijnë se çfarë vleret ka pasë ai meteliku që “ai” i ka falë “asaj” në kangë.
Shumëllojshmënia e devizave tek ne, sidomos tue nisë prej fundit të shek. XIX e deri në fund të Luftës së Parë botnore, ka pasqyrue kaosin e përgjithshëm që zotnonte në çdo fushë të jetës.
Përfytyroni vështirsitë që kishin të huejt por edhe vendasit me disa sisteme paralele, baza e të cilave sigurisht ishte ari dhe argjendi.
Ndër monedha të hueja qarkullonin frangu, korona, napoleoni, lira angleze e ma vonë edhe monedhat malazeze e serbe. Nji fatkeqsi në vete për tregtinë tek ne qe shkatrrimi i Perandorisë austro-hungareze pse shumëkush doli në rrugë të madhe për shkak se mbrenda ditet monedha e Perandorisë humbi çdo vlerë e nuk pranohej ma.
Vlera e monedhës vendase (osmane) në fillimin e shek. XX ishte e katërfishtë: s’pari ajo krahasohej me kursin e monedhave kryesore të hueja, mandej kishte nji vlerë të caktueme pranë institucioneve qeveritare, kishte vlerë tjetër në transaksione private nga qyteti në qytet dhe kishte prap vlerë tjetër pranë zyrave postare italiane e austriake që luenin edhe rolin e bankave.
Asokohe qarkullonin 1 lirë turke, ½ liret, ¼ liret, 1 mexhide, ½ mexhidjet, 20 metelikë, ¼ mexhidjet, 10 metelikë, 2 pjastra, 5 metelikë, 1 pjastër, 2 metelikë, 1 metelikë, dyshi dhe parja.
Sa vlente 1 metelik? Vlera në vitin 1900-1905 i shkonte nga 10 në 12 pare… vlera e sotme blerëse asht pak a shumë rreth 2,5 euro. Asokohe rreheshin me pak e gja mileti. /Nga Ardian NDRECA, publikuar në Facebook/