Gaspër Jakova, lindi më 10 Janar 1908, në nji familje të njohun në Shkodër. Megjithëse ishin shume fëmijë, i jati Cin Jakova u përpoq me i dhanë edukatë të shëndoshtë familjare.
Gaspër Jakova, klasat e para të fillores i kreu në shkollën Françeskane, e cila siç dihet filloi jetën e saj në vitin 1861 dhe që për shumë kohë asht drejtue nga poeti ynë kombëtar, i paharruari At Gjergj Fishta.
Pasi kreu mësimet e fillores në vitin 1922, regjistrohet për të ndjekë mësimet në Liceun e Shtetit Shkodër. E të mos harrojmë se pikërisht në këtë vit, kjo shkollë filloi jeten e saj. Këtu do të vazhdojë pa ndërprerje, deri në marrjen e deftesës së pjekurisë.
Në vitin 1930 familja dhe vetë Gaspri vendosen për të ndjekë studimet e larta në Itali (Firenze), në degën Letërsi- Gjeografi. Këtu Gaspri ven të gjitha forcat dhe energjitë dhe duke ju perkushtue me nji përgatitje të gjithanshme, arrin të përfundojë me rezultate të larta.
Më 29 tetor 1934 laurohet.
Ai e mbrojti diplomën me nji libër të shkruem prej tij, prej 65 faqe në italisht, me titull “Ricerche etnogeografiche nella vallata del Torrente Secco”. E për ta ba këtë temë Gaspri nuk e pati të lehtë. Atij iu desht me shkel sa e sa vende, ti prekë ato disa herë, per të studiu kushtet gjeografike bimesinë traditat etj.., sepse siç dihet asht nji përrua në Malesinë e Madhe me veçori e specifika të veçanta.
Me mbarimin e universitetit u kthye në Shqipëri dhe në vitin 1934 emërohet në Shkollen Normale të Elbasanit ku qëndron deri në vitin 1936. Në vitin 1936 transferohet në Tiranë, pranë Liceut të Shtetit, ku qëndron 10 vjet, pra deri në vitin 1946.
Në vitin 1947 punon në Liceun e Korçes, në vitin 1948 kthehet në Shkoder, pranë Shkollës Pedagogjike, mandej në Gjimnazin e Shtetit dhe së fundi në Institutin Pedagogjik (sot Universiteti “Luigj Gurakuqi”), duke dalë në pension në vitin 1966.
Pas viteve të daljes në pension shkruan, hulumton, studion mbi gjeografinë, historinë etj., në mars të vitit 1979 ndërroi jetë, nga nji atak në zemër. Në vitin 1994 dekorohet me urdhrin “Mësues i Popullit”. /Nga Paul TEDESCHINI, për ShkodraWeb/