Paul Tedeschini: Kam nji knaqesi të veçante që po publikoj nji shkrim të nji gazete mbi Profesor Izet Bebeziqin, profesorin e vuejtun në burg gjate komunizmit. Profesorin e zot dhe të dashtun me të gjithë lexuesit e bibliotekës në Shkodër, qofshin intelektualë shkodranë o qofshin të rinj dhe fëmijë lexues të bibliotekës.
Pasionin e tij për librat ai e nxorri në pah që në moshën 16 vjeçare me krijimin e bibliotekës së tij private duke pasur dhe vulën e tij personale ku shënohej: ‘Biblioteka Illyria-Bebeziqi, Shkodër-1.XI.1921’. Zotëronte 11 gjuhë të huaja.
Izet Bebeziqi lindi në Shkodër më 1905 në një familje shumë të njohur shqiptarësh të Podgoricës të cilët gëzonin respekt të thellë dhe ishin të lidhur ngusht me familjet më në zë të qytetit të Shkodrës. Babai i tij ishte tepër i interesuar për edukimin e djalit të vet dhe që kur Izeti nuk ishte më shumë se 13 vjeç, ai e dërgoi për studime në Austri, ku në vitet 1918-1934 ai kreu shkollën e mesme klasike dhe ndoqi studimet e larta universitare.
Atje në atë mjedis të ngritur kulturor dhe shkencor djaloshi nga Shkodra mori formimin dhe përgatitjen e duhur duke marrë ç´është më e vlerëshme për t´i shërbyer atdheut të vet të dashur, Shqipërisë.Që kur ishte student ai u njoh në origjinal me kryeveprat e letërsise dhe të filozofisë në gjuhën gjermane, angleze, italiane, latine, spanjolle, frenge, ruse, serbokroate, greke të vjetër e të re dhe turke. Ai dinte dhe studionte në 11 gjuhë të lindjes dhe të përëndimit, të vjetra dhe të reja.
Të gjitha këto lanë gjurmë të thella në shpirtin e tij gjithnjë të rebeluar ndaj padrejtësive, sa ai u bë shembull i përkryer i studiusit të apasionuar, i eruditit të shquar, i gazetarit me emër të rrallë në botën e letrave shqipe në organet e huaja dhe të vendit. Që student ai njihet me Joklin nga i cili merr frymzimin dhe nxitjen për të punuar në fushën e kërkimit shkencor, gjuhësor dhe letrar. Po kështu ai njihet me rrethet përparimtare dhe ëndërron për një të ardhme demokratike të vendit të vet.
Për rrjedhojë është kundër regjimit monarkik, madje në atentatin që i bëhet Zogut në Vjenë, akuzohet si i implikuar politik, dënohet në mungesë dhe i pritet bursa. Pas kësaj ai i ndërpret studimet dhe mjedisi i tij familjar i dha krenarinë dhe dinjitetin personal që edhe në kushtet më të vështira të qëndronte burrërisht dhe të përballonte sfidat e rënda të jetës.
Që në vitet e shkollës Izeti filloi të shkruante në gazetat gjermane dhe austriake. Po kështu ai filloi të botonte në gazetat italiane dhe sidomos tek SHQIPËRIA E RE e Kostancës në Rumani kryesisht me pseudonimin Bartholotus. I nxitur nga studiuesi i famshëm Jokli ai studion ngulimet arbëreshe në Itali, studion De Radën, Santorin, Seremben, Krispin e tjerë arbëresh të nderuar, mbledh këngët popullore në shumë krahina të vendit, gjurmon me kujdesin e një studiuesi gjithçka lidhet me traditat dhe historinë kombëtare, bashkëpunon në shumë organe shqiptare si KOMBI, FRYMA, FJALA E KORÇËS, REVISTA LETRARE, etj.
Hapësira e studimeve të Izet Bebeziqit përfshinë një periudhë të gjatë kohore, nga mesi i viteve ´20 e deri në 1944. Ajo mbetet në një tematikë kryesore e cila ishte: atdhedashuria dhe shqiptarizmi. Brënda këtij kuadri ai është filozof, letrar, kritik, historian dhe sociolog. Ai studionte mbi bazën e një literature të gjërë, por duke mbetur kurdoherë origjinal dhe bindës në problemet që shtronte. Ai njihet si nji nga gazetarët më në zë në shtypin e huaj dhe vendës aq sa Petrota tek studimi POPOLO LINGUA E LITERATURA ALBANEZE në vitin 1932 do ta cilësonte atë: NDËR PENAT MË TË FORTA KRITIKE. Në atë kohë Izet Bebeziqi nuk ishte më shumë se 27 vjeç dhe përkthente në gjuhën shqipe nga gjermanishtja, italishtja, turqishtja e shumë gjuhë tjera.
Izet Bebeziqi u kthye në atdhe në vitin 1934, mbas amnistisë së qeverisë së Zogut. Në vitet 1934-1936 Izeti shërbeu si profesor në Tekniken e Tiranës dhe më pas në Tregtaren e Vlorës e në Gjimnazin e Korçës. Në 7 prillin e vitit 1939 kur Italia kreu agresionin fashist ndaj Shqipërisë, Izet Bebeziqi ishte pedagog në qytetin e Vlorë dhe së bashku me disa shkollarë të tjerë vlonjatë, ai mori pjesë me armë në dorë në rezistencën e armatosur që iu bë trupave pushtuese të Musolinit. Më pas Profesor Bebeziqi erdhi në qytetin e Tiranës ku e intesifikoi veprimtarinë e tij dhe ra në sy si një nga personat kryesore në manifestimin antifashist që u organizua në varrin e Naim Frashërit. Po kështu kur ishte në Korçë, ai mori pjesë në disa demonstrata në ballë të nxënësve të tij, ku grisi flamurin fashist.
Në ato kohë të errta për Shqipërinë ai nxorri në mënyrën më të qartë shpirtin e tij rebel kundër padrejtësive shqoërore, kundër armiqve të shqiptarisë etj. Nga Shkodra, Tirana, Vlora, Durresi, Korça, nga ngulimet shqiptare në Itali e Greqi, nga Kosova ku jetoi e punoi, në shenjë nderimi të gjithë do ta thërrisnin me titullin Profesor Bebeziqi. Kështu i shkruante miku i tij i ngushtë, poeti i Kombit Lasgush Poradeci, kështu e thërriste shoku i tij i studimeve, Çabej, shoku i punës, Skender Luarasi e deri tek Presidenti i njohur i Italisë, Sandro Pertini. Ai kishte mik e bashkpunëtor me Safet Butka, Prek Kaçinari, Arshi Pipa, Beqir Çela, Hafiz Ali Korça, Vinçens Prenushi, Stefan Kaçulini, Sulejman Kadiu, Myzafer Pipa, Skënder Çela, Ibrahim Gjakova, Riza Dani, Xhevat Dani, Muhamet Shurdha, Jup Kastratin, Fadil Podgorica, Luigj Frana e shumë e shumë të tjerë, një pjesë e të cilëve jetojnë ende edhe sot.
Izet Bebeziqi është një nga shkollarët e rrallë që u denua dhe u përndoq nga të gjitha regjimet në Shqipëri. Ai ishte i dënuar politik nga Qeveria e Zogut, arrestohet dhe internohet pa afat nga italianët në vitin 1940 në ishullin Ventotene, së bashku me shumë bashkatdhetarë të tjerë. Atje në ato burgje të errta njihet dhe zë miqësi me Sandro Pertinin, Presidentin e ardhshëm të Italisë. Shprehje e kësaj miqësie është kujdesi i vazhdueshëm i këtij personaliteti të politikës italiane ndaj mikut të vet Bebeziqi. Kur kthehet nga internimi më 1943 shkon në Pejë dhe atje emrohet drejtor i gjimnazit. Atje lufton për një Kosovë të lirë dhe të bashkuar me Shqipërinë. Sipas Zija Mukës, gjatë asaj kohe që Izeti ishte në Kosovë, ai arriti të shpëtonte nga ekzekutimi disa dhjetra romë të cilët gjermanët i kishin arrestuar duke i pandehur si çifutë. Bebeziqi kontaktoi me gjermanët dhe u sugjeroi atyre të shihnin enciklopedinë austriake ku thuhej qartë se ata nuk ishin me origjinë çifute. Pas kësaj, oficeri gjerman kontaktoi me telefon me një akademik tepër të njohur, i cili ia konfirmoi atë që i kishte thënë Bebeziqi dhe u detyrua që t’i lironte robrit romë që po i bënte gati për t’i ekzekutuar në vënd.
Më pas Izeti burgoset edhe vetë nga gjermanët dhe falë lidhjeve miqësore me Xhevat Danin, arrin të arratiset nga birucat e burgut të Shkodrës dhe fshihet në miqte e vet në Tiranë. Ishin po tiranasit që e fshehen profesorin e tyre të nderuar edhe nga pushkatimet pa gjyq të komunistëve si ato të hotelit ‘Kontinental’ e gjetkë. Në vitin 1945 Izet Bebeziqi vendoset në Durrës. Regjimi i ri barazitist nuk i dha punë këtij profesori të nderuar. Miku dhe kolegu i tij i ngushtë, Skënder Luarasi, e ndihmoi të hapte një dyqan me artikuj shkollor dhe të shiste libra. Kjo u bë qendër takimesh e bisedash të shkollareve durrsakë dhe shqipëtarëve të Kosovës që i shpëtuan masakrës së Tivarit dhe përndjekjeve sllave.
Sigurimi e vëzhgonte dhe e ndiqte kudo hap pas hapi. Në zgjedhjet e 2 dhjetorit, kur Izeti deklaroi haptas se ‘Pjesmarrja në votime nuk është e detyrueshme’, ai arrestohet dhe akuzohet se ka pasur dijeni për formimine një grupi socialist. Gjatë mbrojtjes në sallën e gjyqit, Izeti shpalosi aftësitë e veta juridike duke e gozhduar trupin gjykues dhe arriti ta kthente gjyqin në aktakuzë për shkeljen e të drejtave të njeriut. U dënua me 7 vjet burg politik dhe konfiskim të pasurisë. Por ai kurrë nuk e uli kokën dhe qendroi krenar në dinjitetin e vet. Kjo duket qartë në burgjet barazitiste kur ai me ballin lart iu përgjegj Mehmet Shehut duke i thënë: ‘Jam shumë mirë, nuk kërkoj asgjë prej jush’. Pas daljes nga burgu, atij iu ndalua përgjithmonë mësimdhënia dhe botimi.
Mbas shumë përpjekjesh, ai u emërua nëpunës biblioteke në Shkodër ku vetëm shpërndante libra. Megjithkëtë ai me aftësitë e vëta si një mik i ngushtë i librit dhe njohës i thellë i tij shpejt u afrua me studentët të cilët do të gjenin tek Izeti ndihmësin dhe orientuesin e palodhur në botën e kulturës dhe të shkencës. Janë më qindra e me mijëra studentët që vozitonin bibliotekën e shtetit dhe kërkonin ndihmën e një njeriu tepër kompetent si Izet Bebeziqi, si në fushën e hartimit të diplomave, të detyrave të kursit, të referateve letrare, bibliografive etj. I ngarkuar me një punë krejt të rëndomtë për aftësitë e tij intelektuale, Izeti gjente hapsira për të dhënë maksimumin e kontributit të vet. Duke qenë njohës i shumë gjuhëve të huaja, ai fillon të jape mësime fillestare në disa prej tyre.
Veprimtaria e profesor Bebeziqit sot njihet fare pak. Vepra e tij krijuese mbeti në faqet e gazetave dhe revistave të kohës, të cilat sot është shumë vështirë të gjinden. Mendimi i tij filozofik, historik, letrar dhe shkencor u harrua dhe mbeti pronë e arkivave. Për 50 vjet me rradhë askush nuk u kujtua për të. Vetëm në vitin 1994 doli në dritë emri i tij. Gazetari i mirenjohur, Besnik Dizdari shkruan artikullin ‘Përse është i madh Izet Bebeziqi?; studiuesi i palodhur Fadil Podgorica shkruan tek Shkodra ‘Një mik i Sandro Pertinit’; Danish Izet Bebeziqi (i biri) shkruan tek Rilindja ‘Hapsira e studimeve – atdhedashuria, shqiptarizma’. Nga një skicë të jetës së Bebeziqit do ta gjejme edhe tek Hamdi Bushati si dhe tek vepra e Prof. Dr. Uran Asllanit.
Në respekt të thellë për veprën e Bebeziqit, në vitin 1994 atij iu dha titulli i lartë “Mësues i Popullit” me këtë shënim: Mësues i devotshëm dhe plot pasion. Ka dhënë një kontibut të shquar në lëmin e kritikës letrare, përkthimeve dhe të publiçistikës. Punoi me ndërgjegje të lartë në shkollat e Shqipërisë dhe të Kosovës. /Nga Paul TEDESCHINI, për ShkodraWeb/