Në kontekstin e Kosovës, çështja e konvertimeve nga disa individ ka zgju diskutime interesante nëpër TV. Shumica emocionale, pakica që e kërkojnë nji të vertet mbi kët fenomen që ka t’baj mbi raportin n’mes fesë dhe identiteti kulturor. Unë, po kam dëshirë me eksploru mbi kët fenomen duke i pa problematikat duke e vendos n’diskutim çësthjen nëse me t’vërtet këto konvertime munden me e “ruajt” identitetin kulturor të Kosovës, apo asht thjesht një kuptim i gabuem i raportit n’mes fesë dhe kulturës.
Feja dhe kultura, siç e dijm, janë dy aspekte të ndame të jetës njerëzore. Feja, është bindje personale kundrejt nji realiteti trashendet (dikush e thirr Zot, dikush ndryshe), e cila shkon përtej limiteve kulturore dhe gjeografike. Kjo bazohet në përvoja shpirterore, epifani hyjnore që synojnë shpetimin e njeriut nga mëkati dhe njohja me dashurinë e Zotit (teologjia e krishterë). Nga ana tjetër, kultura është produkt i ndërveprimeve shoqërore dhe historike i një grupi (p.sh. kombi) apo edhe në mes bashkësive të ndryshme.
Kohëve të fundit, po dëgjoj nëpër këto media që disa individ që po konvertohen në krishtërim (spec. Katolik), po përdorin nocionin e “rikthimit” në fenë e të parëve gjoja në këtë formë mund ta ruajmë identitetin kulturor të Kosovës. Mesa e shoh dëshirojnë ti qëndrojnë deklaratës që është një zgjidhje për ruajtjen e identitetit kulturor. Megjithatë, kjo lloj pikpamje në opinionin tim duket problematike per disa arsyeje:
– Konvertimet fetare në vetvete janë eksperienca personale shpirtërore. Nëse ato bëhen për arsyeje kulturore apo politike, e jo për një nevoj shpirtërore, rezikojnë ta humbin vlerën e saj autentike. Feja Katolike (katolik dmth universal) nuk është një mjet për ta ruajtur identitetin kulturor, por asht nji takim personal me Jezusin, i cili kategorikisht ka refuzu ndasitë në mes kulturash, racave, kastave, etj. Feja e vërtet duhet të lind nga një eksperiencë personale e transformimit dhe jo nga adoptim siperfaqësor i një religjioni per arsyeje të jashtme.
– Kultura është fenomen në ndryshim, i cili nuk mund të jetë i ruajtur nga konvertimet fetare nga disa grupe “levizje”. Këto levizje sado paqësore të jenë, në publikimin e fenomenit të konvertimit dhe duke i veshur asaj petkun e patriotizmit mund të krijoj konflikte të panevojshme. Për më tepër Kosova ka nji histori komplekse të kulturave të ndryshme. Kultura e Kosovës nuk është monolitike dhe nuk mund të përkufizohet prej nji koleksioni vlerash. Pasuria e Kosovës është në shumëllojshmërinë fetare që gjendët në të si: musliman, bektashinj, katolik, protestant, ortodoks po edhe ata agnostik e ateistë.
Koncepti i besimit të krishterë apo më mirë i mesazhit të Krishtit nuk është i lidhur me një kulturë specifike. Ai mesazh promovon dashurinë për Zotin, për mikun dhe për armikun. Feja e Krishterë (specifikisht Katolike) ofron nji liturgji të takimit personal me Jezusin që tejkalon çdo diferencë kulturore. Ky takim është një eksperiencë e shpëtimit dhe transformimit të brendshëm dhe e cila pasqyrohet në pasurimin e kulturës Shqiptare.
Imagjinoni kush ishin 12 apostujt e Krishtit apo kujt i bëri mrekulli. Po citoj 3 nga apostujt dhe 1 mrekulli për të treguar se sa i interesonte Krishtit përkatësia sociale dhe kulturore:
– Pjetri (peshkatar i cili perfaqësonte klasën punotëtore më të ultën në shoqërinë judaike)
– Mateo (Jahudi, i konsideruar tradhëtar i judejve ngaqë punonte si taksambledhës i perandorisë Romake)
– Simoni, Zeloti (ishte anëtar i një grupi politik të njohur si Zelotët, që ishin kundër okupimit romak, dhe ishin të stërvitur si ushtarë kundër Romakëve).
Centurioni i Kafarnaumit (ishte oficer i ushtrisë romake, përgjegjës për 100 ushtare, me pozitë të lartë shoqërore) kishte djalin të sëmurë afër vdekjes, i kerkoi Jezusit dhe Ai i shpetoi djalin (Gjoni 4, 46 – 53).
Nëse doni me e ruajt kulturën promovoni atë me evente kulturore që nga klasa e parë, evente kulturore nëpër lagje, qytete e ka të doni ju. Ndërtoni teatro e muze, tempuj ku celebrohet dhe ruhet kultura shqiptare. Investoni në rini që të shkruajnë romane e poezi. E leni ruralizmat kulturor se nuk i duhen kujt gja! /Nga Engjëll GJUGJA, publikuar në Facebook/