Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, në vijim të megaoperacionit policor antidrogë të koduar “Tempulli”, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve i DVP Shkodër, në bashkëpunim me Patrullën e Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Shkodër, arrestuan në flagrancë shtetasit K. Ç., 25 vjeç, R. Ç., 21 vjeç dhe K. L., 25 vjeç, të tre banues në Shkodër.
Nga kontrollet fizike të kryera ndaj 3 shtetasve, në lagjen “Partizani”, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde narkotike cannabis sativa, të ndarë në doza, të cilën këta shtetas, të organizuar si grup, dyshohet se do ta shitnin në zona të ndryshme të qytetit të Shkodrës.
Në vijim të veprimeve operacionale dhe hetimore, të kryera në kuadër të megaoperacionit “Territor i pastër”, Seksioni për Hetimin e Krimeve i Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe kapi dhe vuri në pranga shtetasit D. R., 57 vjeç, banues në Elbasan dhe S. K., 39 vjeç, banues në fshatin Hot.
57-vjeçari ishte shpallur në kërkim, më datë 03.07.2024, si autor i dyshuar i kultivimit të 2464 bimëve narkotike cannabis sativa, në fshatin Selcë, ndërsa shtetasi S. K. u identifikua si bashkautor në këtë veprimtari kriminale, si rezultat i hetimit proaktiv.