Një gjykatë britanike ka miratuar ekstradimin drejt Shqipërisë të Edmond Haxhisë dhe tre nga katër britanikët e akuzuar për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin në prill të vitit të kaluar. Ndërkohë, është refuzuar ekstradimi i Stiven Hant, pasi ai vuan nga një sëmundje e rëndë.
Sipas legjislacionit vendas, Edmond Haxhia dhe 3 qytetarët britanikë kanë të drejtë të apelojnë vendimin e dhënë për ta në Gjykatën e Lartë. Ishte drejtësia shqiptare ajo që kërkoi ekstradimin pasi u siguruar prova për personat e përfshirë në këtë ngjarje të rëndë. Pritej që procedurat të përfundonin në nëntorin e kaluar, ndërsa përfunduan sot.
Biznesmeni Ardian Nikulaj u ekzekutua në lokalin e tij në Shengjin me 19 prill 2023 pak pas mesditës. Pamjet e kamerave të sigurisë treguan dikë që hynte në lokal me një skafandër dhe një jelek fluoreshent, qëllonte dhe largohej me një motoçikletë gri.
Sipas organit të akuzës, sulmi ishte i paramenduar dhe kishte një shkallë të konsiderueshme planifikimi. Haxhia dyshohet të jetë organizatori i vrasjes. Edmond Haxhia është kushëri i një familjes Lekstakaj. Nga kjo familje, me 19 korrik 2023, u vra Nikolin Marku ndërsa dyshohej se ishte hakmarrje pikërisht për vrasjen e Ardian Nikulaj.