Improvizimi ka të bajnë me nji sajim të çastit, aty për aty, befas, papritun…! Janë të rrallë aktorët e humorit që dijnë të improvizojnë bukur në skenë dhe asht e vështirë me iu përshtatë atyne kur i ke partner!
Kam pasë rastin e fatin e madh me interpretue krah komedianit e humoristit të shquem shqiptar, të ndertit Athanas (TANO) Banushi, i cili ishte mjeshtër i improvizimit në skenë. Po permendi nja dy raste:
Në komedinë “Këshilli i Ndrikullave”, me autor Sheri Mita e regji të Serafin Fankos, ndjesë paçin, unë interpretoja rolin e nji djali të ri me emnin Rinush, kurse Tanoja rolin e nji beqari të stazhionuem, rreth të 50-ve, me emnin Leo!
Të dy ishin të dashunuem me nji vajzë të bukur me emnin Rina, si me thanë “dy princa për nji vashë! Kontrasti që kishin të dy në moshë, krijonte nji situatë komike!
…Rinushi kishte lanë takim me Rinën në orën 18.00 dhe Leoja që s’i ndahej asaj ngado që shkonte, përballet në të njëjtin vend me Rinushin i cili po priste të dashtunën e tij. Dialogu i autorit ishte ky:
Leo: A keni orë, ju lutem?
Rinushi (që nuk e njihte Leon ): Po, kam.
Leo: Keni e? E sa e keni?
Rinushi: 6 pa 5 minuta.
…Këtu nisi improvizimin e tij Tanoja:
Tano: E keni gabim djalosh. E keni shumë gabim! Asht 6 pa 3 minuta e 30 sekonda! Rregullojeni, aty!
Unë (u vuna ne siklet): Epo…tash po e rregulloj…ju falemnderit.
Tano: Me e rregullue qi ç’ke me te…e meqë ra fjala…kë po prisni këtu, djalosh?
Unë (tan hall): Po pres…më falni por…nejse, meqë qenkeni kurioz, po pres të dashtunen time.
Tano: Të dashtunen ti?! Qyr-qyr-qyr…çka po difton more! Unë kujtova se po prisje gjyshen!
Unë (tue iu pershtatë ): Jo, jo…nuk po pres gjyshen…edhe ju lutem shumë se mue më ka vdekë gjyshja.
Tano: Të paska vdekë gjyshja e?
Unë: Po pra…ka 20 e sa vjet.
Tano: Qofshi vetë.
Unë: Ju faleminderit!
…Nji natë që kishim shfaqjen e radhës e salla mbushej çdo natë plot…unë atë ditë i kisha qethë flokët shumë shkurt, si i thojshim aso kohe “kare’” e me kishin dalë veshët “llapotë” e në majën e kresë nji “kaçirubë”… Kur më pa Tanoja, përfitoi nga pamja e ime e shtoi prej “xhepit” të tij këto fjalë:
-Edhe qenkërke i bukur ti djalosh! Paskërke dalë si viç i qethun, njaty!
…A kishte burrë nane me ndej ma në skenë?! Dola fill jashta kuintave tuj qeshë me dënesë. Tanoja mbet i vetëm në skenë dhe filloi të improvizonte nji monolog ashtu siç dinte ai:
-Interesant sot me këtë brezin e ri…, dhe me bante me shenjë “futu pra”!
Mue nuk më mbajshin kambët prej gazit…derisa inspektori (autoritar) i skenës, i ndjeri Çesk Vuksani, më dha të shtymen e më futi në skenë! Unë iu afrova Tanos, ia ktheva shpinën spektatorit, e i thashë lehtë:
-Tano, ta marrsha mos me provoko!
….Vazhduem dialogun ashtu siç e kishte shkrue autori por unë ndeja tanë frikë derisa mbaroi ajo skenë të cilën, kur e kujtoj ende sot, më qeshet buza e sytë më mbushen me lot! /Nga Ymer BALA, publikuar në Facebook/