Prot. n. /2024
Shkodër, më 28/08/2024
ANKESE-KERKESE
Të Nderuar Autoritete të Pushtetit Qëndror,
Të nderuar Deputet të Qarkut Shkodër,
Të nderuar Autoritete të Pushtetit Vendor,
E nderuar Zonja Prefekte,
I nderuar Kryetar i Qarkut,
I nderuar Kryetar i Bashkisë Vau i Dejës,
Deshiroj te filloj me fjalet e Papa Franceskut, të datës më 7 korrik 2024, në rastin e Javës sociale së Pesëdhjetë të Katolikëve në Itali”, në Trieste, thekson se “Demokracia nuk është një kuti boshe, por është e lidhur me vlerat e personit, të vëllazërisë dhe gjithashtu edhe të ekologjisë integrale. Besimtarët nuk mund të kënaqen me një fe individuale. Kjo do të thotë jo aq shumë të dëgjohesh, por sidomos të kesh guximin për të bërë propozime drejtësie dhe paqeje në debatin publik. Kemi diçka për të thënë, por jo për të mbrojtur privilegje. Jo.
Duhet të jemi zë, zë që denoncon dhe propozon në një shoqëri shpesh pa zë, ku shumë nuk kanë zë. Shumë nuk kanë zë. Kjo është dashuri-bamirësi politike, e cila nuk mjaftohet me trajtimin e pasojave, por përpiqet t’u bëjë ballë shkaqeve. Kjo është dashuri-bamirësi politike”.
Papa Francesku nënvizon gjithashtu se “jetojmë në një botë që nuk ka pasion civil dhe se duhet ta rimarrim pasionin civil dhe duhet të apasionohemi për të mirën e përbashkët”.
Duke qënë se jam munduar dhe mundohem të jem zë për ata që nuk kanë zë, dëshiroj t’Ju shpreh një ankesë, personale dhe njëkohësisht publike, që lidhet me RRUGËN E KOMANIT.
Gjatë një vizite, duke shkuar në Koman dhe Lumin e Shalës, u ndala për të pushuar dhe takova e fola me disa banorët për këtë rrugë, që aq shumë më lodhi. Në bisedë e sipër më kanë thënë se “kemi ngritur zërin…por pa rezultat!”
Personalisht kur e kam parë të nevojshme kam ngritur zërin gjithmonë për problemet shoqërore, edhe për rrugët. Sa herë kam folur për rrugën e Dukagjinit! Më në fund, janë duke punuar dhe i falenderoj të gjithë ata që e bënë të mundur.
Ndërsa rruga për KOMAN… është katastrofike dhe është e pasigurtë për jetën e vendasve dhe është shumë e rrezikshme edhe për shëndetin e punëtorëve të hidrocentralit!
Mijëra turistë çdo ditë kalojnë atë rrugë për të shkuar në Fierz, në Valbonë dhe në Lumin Shalës… dhe jo vetem turistët por edhe banorët e zonës. Sa vuajtje, sa kohë e humbur, sa makina që prishen, sa probleme për shëndetin dhe shtyllën kurrizore të njerëzve!!!
Të nderuar Autoritete Vendorë, më lejoni t’Ju bëj këtë arsyetim:
Malet e Veriut, liqenet, ujërat, pyjet janë shfryzuar në maksimum edhe për minierat që nga vitet 92-të. Sa kamiona kam parë në të kaluarën kur udhëtoja më shpesh për shërbime fetare në Koman, Toplan e Dushman. Rruga është shkatërruar dhe gjatë viteve janë riparuar vetëm disa segmente.
Prandaj natyrshëm Ju pyes: Cfarë kthimi (perfitimi) ekonomik, për pasuritë të shfyzuara, kanë patur deri tani familjet që banojnë në ato zona ose do të kenë në të ardhmen?
Nëse do të ishin kushtet e rrugëve, të shkollave dhe shërbimet shëndetësore, mendoj se disa familje do të kishin qëndruar në Shqipëri, pa marrë rrugën e hidhur të mërgimit!
Ata mijëra turistë të huaj dhe nga Shqiperia, në rrjetet sociale, flasin mirë për natyrën e mrekullueshme që na ka falur Zoti, por shumë prej tyre flasin shumë keq për rrugët dhe për pastrimin e liqenit, duke bërë kështu propagandë të kundërt!
Si mund të pajtohemi me këtë?
Së fundmi, Ju lutem me fjalët e Papa Franceskut, të rimarrim pasionin civil, të apasionohemi për të mirën e përbashkët dhe së bashku ta ndertojmë të ardhmen më të mirë për Shqipërinë, për shqiptarët dhe për të huajt.
Duke shpresuar që shqetësimi im i ngritur në këtë anksë-kërkesë, do të marrë një zgjidhje sa më te shpejt, Ju uroj punë të mbarë.
Imzot Angelo Massafra OFM
Arqipeshkëv Metropolit i Shkodër-Pult