Letërsia është kurth i madh. Është arenë e shkëlqyer keqkuptimesh. Miliona të keqkuptuarve u duket si arti më demokratik në botë dhe pikërisht kjo është arsyeja që në këtë det të pafund, që quhet letërsi, i fusin duart e këmbët plot guxim thuajse të gjithë. Lagen e lagen në cekëtirën e këtyre ujërave demokratike me kokën mbushur plot iluzione.
Disa (ata më të zgjuarit) e kuptojnë se kanë hyrë gabimisht në këtë rrugë dhe dalin shpejt ose vonë, të lagur nga humbja e kohës së çmuar që ia kanë kushtuar së pamundurës. Të tjerë, të joshur nga ideja e fandaksur se janë letrarë të lindur, nuk zgjohen kurrë nga kjo ëndërr mizore që ua ha jetën tinëzisht dhe gjenden si pa e kuptuar në fundin e jetës së tyre të çuar dëm.
Por bilanci i tyre me letërsinë gjen ngushëllim në dhjetëra vëllime me fletë të nxira që nuk i ka lexuar as nuk do t’i lexojë askush dhe siç thonë të vjetrit “nuk i duhen dreqit një lek”. Por deti i gjerë i letërsisë ka edhe thellësitë e veta të pafund, të cilat janë habitati i notarëve të vërtetë që janë të zotë të përshkojnë humnerat e oqeaneve të këtij arti sublim, duke zhdukur keqkuptimin mbi karakterin e cekët dhe “demokratik” të artit të fjalës.
Këta notarë ose zgalemë, tepër të rrallë si specie, janë të përjetshëm e të përbotshëm. Spikamat artistike që krijojnë, dalin prej tyre, por nuk u përkasin më atyre. Bëhen pronë e të gjithë kulturës së njerëzimit; si ajri, si qielli, si uji, si gjërat më imanente. /Nga Zija VUKAJ, publikuar në Facebook/