Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” shpreh shqetësimin e vet lidhur me keqtrajtimin e shqiptarëve të Çamërisë në doganat greke.
Sot, datë 1 Shtator 2024 në doganë greke ne Qafë Botë i është refuzuar lëvizja e lirë Z. Arben Kondi, shkrimtar i mirënjohur shqiptar dhe një prej themeluesve të Shoqatës Patriotike Çamëria dhe njëkohësisht një prej bashkëpunëtorëve të ngushtë të Fondacionit Çamëria “ Hasan Tahsini” me argumentin : “Nuk disponon dokumentet e nevojshme provuese lidhur qellimin e qendrimit të tij, nuk u tregua dokumenti________”
Ashtu si mund të shihet edhe në dokumentin dorëzuar Arben Kondit nuk thuhet cili është dokumenti që dogana greke i ka kërkuar dhe Arbeni nuk ia dorëzuar doganës. Si një qytetar korrekt Arbeni i drejtohet palës shqiptare në doganën Qafë Botë ku edhe aty gjen indiferencën totale të punonjësve shqiptarë për t’u interesuar te pala greke lidhur me rastin në fjalë.
Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” shpreh shqetësimin e vet dhe proteston ndaj Ministrisë së Jashtëme greke dhe Ministrisë së jashtëme shqiptare të cilët lejojnë akoma sjellje diskriminuese ndaj shtetasve shqiptar në doganat greke.
Arben Kondi është një figurë e spikatur e Çamërisë, shkrimtar dhe publicist. Shkrimet e tij dhe qëndrimet e tij për Çamërinë kanë sjellë mesazhe drejtësie për respektimin të drejtave të shqiptarëve të Çamërisë bazuar në çdo normë ndërkombëtare. Stenda e librave “Çamëria” e kudondodhur në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Mal i Zi, si dhe aktivizimi i Arbenit për të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë janë “faji” i vetëm i Arben Kondit që shqetësoi palën greke ne doganën Qafë Botë.
Heshtja për Çamërinë ka pasoja, ndaj i bëjmë apel qeverisë shqiptare, parlamentit shqiptar: Mjaft heshtët për Çamërinë!