Teksa shoh tim bir që nervozohet, bërtet e stresohet nga loja në celularin e tij, trishtohem… Sa fort ka ndikuar ky avancim i teknologjisë në humbjen e sensit të realitetit ku jetojmë, në humbjen e zhbërjen e raporteve të vërteta njerëzore…
Pa e vëne rë, pak nga pak, si dozë e frikshme droge, kemi krijuar vartësi nga celularët tanë, nga rrjete të ndryshme sociale, ku të mësohet si të vishesh, si të trukohesh, si të gatuash, si të dashurosh, si të bësh seks, qindra teori manipuluese e trushplarëse psikologjike dhe ti ndërgjegjësohesh për këtë fakt kur jo vetëm breza të rinj e të paformuar kanë “idhuj” të gabuar për t’ u ndjekur por edhe ne, bashkëmoshatarët e mi, vë re lajthitje dhe nevojë për “guida” në të veshur, në të menduar, në të jetuar, sikur tanë këto vite jetë të deritanishme, janë të zbrazëta në eksperienca njerëzore, sikur asgjë që kanë arritur në planin personal deri tani, nuk ka lanë gjurmë, e po mësojnë të jetojnë sot me frymën e re të teknologjisë…
E sa ma shpesh përmend fjalët e mençura të gjyshave e prindve të mi të mirë që ua ndriti Zoti mendjen e zemrat e lanë vlera pas vetes, aq më fort jam e bindun që jena pajis me një tru individual e jo kolektiv e që eksperiencat tona jetësore, janë mësuesi më i mirë i tana kohnave e, ato që sot prezantohen si risi nëpër rrjete sociale, pata fatin me i mësu qysh fëmijë në shtëpinë teme, e mi përforcu në mënyrë unike e te patjetërsueshme me veten përgjatë këtij udhëtimi të deritanishëm jetësor…
E për ata që do më kundërshtojnë duke thënë se njerëzimi ka pasur gjithmonë role, modele për tu ndjekur, u them që asnjëherë më shumë se sot njerëzimi nuk ka patur influenca më të këqija, injorante, të paedukuar, të pavlera si sot sepse teknologjia nuk e lejon sitën e së mirës, për më tepër, promovon antivlerat njerëzore më të mrapshta! /Nga Suela REXHEPI DËRGUTI, publikuar në Facebook/