Debutimi i Vllaznisë në këtë edicion të Ligës së Kampioneve në futbollin e femrave ka shkuar ashtu siç pritej. Skuadra shkodrane, dominuese e futbollit të femrave në vendin tonë, është konfirmuar edhe në Europë, duke munduar në Gjeorgji ekipin vendas të Guria Lanshkhuti.
Skuadra shkodrane ka fituar me shifrat 3-0, duke mbyllur praktikisht kualifikimin në fundin e pjesës së parë. Goli i Doçit i dha asaj avantazhin pas një gjuajtje të fortë të sulmueses nga jashtë zonës. Ndërsa më pas ishte Borçi e cila dyfishoi shifrat në zhvillimin e një goditje këndi para se skuadrat të shkonin në pushimin e ndeshjes.
Në pjesën e dytë, ishte Ndoj e cila në minutat e fundit shënoi edhe golin e tretë, duke vulosur fitoren 3-0 dhe kalimin e Vllaznisë me mini-finalen e grupit që do ta luajë kundër austriakeve të St. Polten të cilat mundën me shifrat 5-0 azeret e Neftçi Baku. Ndeshja mes dy skuadrave do të zhvillohet të shtunën po në Gjeorgji ku janë organizuara sfidat e minigrupit kualifikues.