Të prekur për ndarjen nga jeta të solistit Bass-Bariton, Agim Quku.
Agim Quku u lind në Shkodër më 22 mars 1939. Në vitin 1967, pas përfundimit të studimeve të larta, emërohet solist në Teatrin e Operës dhe Baletit. Për një periudhë 20-vjeçare (1967-1987) ai interpretoi me nivel dhe cilësi të lartë artistike mbi 15 role në opera si “Berberi i Seviljes”, “Goca e Kaçanikut”, “Toka jonë”, “Vjosa”, “Carmen”, “La Traviata”, ku shquhej jo vetëm për zërin e tij, por edhe për lojën e shkëlqyer skenike.
Ai ka marrë pjesë edhe në filmin “Karnavalet”, duke interpretuar me zërin dhe lojën e tij bindëse rolin e prefektit. Pjesëmarrës në 10 festivale të këngës në RTSH, ai është nderuar 4 herë me çmime të dyta dhe të treta, si dhe pjesëmarrës në koncertet e majit.
Nga viti 1987 deri në vitin 1992, kur doli në pension, Agim Quku punoi si Përgjegjës i Degës së Programacionit dhe Propagandës në Teatrin e Operës, Baletit dhe Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore.
Ai është autor i një numri të madh shkrimesh, rreth 400 artikuj kritikë dhe analiza për shfaqje dhe artistë të veçantë, të botuara në kohë të ndryshme në shtyp.
Pusho me ëngjëjt, Artist i Madh! Ngushëllime të përzemërta familjes, kolegëve dhe miqve. /Publikuar në faqen zyrtare në Facebook të Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor/