Një person është arrestuar si përkrahës i autorit të dyshuar të vrasjes së Elis Rroshkodolit, ngjarje e ndodhur pak ditë më parë në Shkodër.
Mësohet se në pranga ka rënë shtetasi me iniciale Xh.M, i dyshuar si përkrahës i autorit.
Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 12:30 të 30 gushtit. Përfshirja në vjedhje, plagosje brenda e jashtë vendit, dyshimet për pazare droge dhe konflikte të tjera të shumta kanë bërë që grupi hetimor të mos përjashtojë asnjë prej mundësive.
NJOFTIMI I POLICISË
Si rezultat i një pune intensive operative dhe hetimore, të kryer nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe me Prokurorinë e Shkodrës, me qëllim zbardhjen e dinamikës dhe autorësisë së vrasjes së shtetasit E. Rr. (Sh.), kryer më datë 30.08.2024, në një lokal në lagjen “Ahmet Haxhia”, u finalizua operacioni policor i koduar “Fjalëkryqi”.
Në kuadër të këtij operacioni, u identifikua, u kap dhe u vu në pranga shtetasi Xh. M., 26 vjeç, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Veprime që pëngojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”, kryer në bashkëpunim. Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”, kryer në bashkëpunim, shtetasit J. Xh., 31 vjeç, V. Xh., 38 vjeç dhe D. M., 42 vjeç.
Nga hetimet dyshohet se këta 4 shtetas kanë organizuar dhe kanë kryer vrasjen e shtetasit E. Rr. (Sh.).
Në vijim të operacionit, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Tiranë, u zbulua në territorin e bashkisë Tiranë, një garazh, ku këta 4 shtetas mbanin automjete të trafikuara nga shtete të ndryshme të Europës, të cilat dyshohet se janë siguruar për të shërbyer gjatë kryerjes së krimeve të rënda kundër personit.
Nga kontrollet në këtë ambient u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 3 automjete të dyshuara të trafikuara dhe pjesë të automjetit të dyshuar të përdorur nga autorët, gjatë vrasjes së shtetasit E. Rr. (Sh.).
Vijojnë intensivisht kërkimet me qëllim lokalizimin dhe ndalimin e 3 shtetasve të shpallur në kërkim.