Policia vendore e Shkodrës ka zhvilluar një kontroll blic në Velipojë për arrestimin e vëllezërve Frroku të dyshuar për vrasjen e dyfishtë të shtetasve Ersild Ishmi 33 vjeç dhe kunatit të tij Arsid Hoxha 22 vjeç.
Nga ky kontroll i befasishëm policia nuk ka arritur që të arrestojë vëllezërit Edmir Frroku dhë Gëzim Frroku të cilët dyshohen si autor të vrasjes, ngjarje e ndodhur mbrëmjen e 19 gushtit të këtij viti.
Efektivët e Shkodrës kanë patur një informacion se vëllezërit Frroku ndodheshin në një banesë në plazhin e Velipojës dhe menjëherë janë mobilizuar për të bërë arrestimin e tyre por pas kontrolleve ka rezultuar se asnjëri prej tyre nuk ndodheshin në vendin ku policia kishte informacion paraprak.
Në këtë operacion u angazhuan forca të shumta policie të cilët rrethuan zonën ku mendohej se ndodheshin dy vëllezërit por nuk u arrit arrestimi i tyre. Është e paqartë nëse vëllezërit Frroku nuk kanë qenë fare aty apo janë larguar përpara se policia të mbërrinte për të bërë atë kontroll të befasishëm.
Pavarësisht kësaj uniformat blu të Shkodrës vijojnë të jenë të angazhuara për të bërë të mundur arrestimin e vëllezërve Frroku.