Siç ishte paralajmëruar, këtë të hënë ka nisur zbatimi i projektit për rikualifikimin e hyrjes së qytetit të Shkodrës. Faza e parë e tij, është shembja e ndërtimeve por edhe barakave që shtrihen aktualisht në sipërfaqen që do të transformohet.
Punonjësit e IKMT- Rajoni Shkodër, kanë vëzhguar në distancë boshatisjen ndërtesave që do të shemben nga vetë pronarët e tyre, të cilët kanë hequr gjërat dhe mjetet e ndryshme për ti ripërdorur ndokund tjetër.
Në total, do të shemben gjithsej 21 objekte, nga të cilat në 11 tashmë po punohet vullnetarisht, ndërsa për 10 të tjera, do të vijohet sapo të përfundojë procesi i shpronësimeve. Të njëjtin fat, pritet të kenë edhe 55 baraka.
Projekti i prezantuar nga kryebashkiaku Benet Beci, është shumëdimensional dhe do të transformojë krejtësisht hyrjen e Shkodrës, duke sjellë një imazh ndryshe për të gjithë mysafirët që në mirëseardhjen e parë.
Së shpejti, pritet të fillojnë edhe projekte të mëdha e të rëndësishme, të cilat i ka paralajmëruar përmes rrjeteve sociale edhe qytetari i parë i Shkodrës, Benet Beci.