Rejan Alivoda pritet të jetë largimi i radhës nga Vllaznia. Klubi shkodran ka gjetur akordin me Ittiha Kalba në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe gjithçka është e kryer.
200 mijë euro pritet të shkojnë në arkat e Vllaznisë për të lënë të lirë 21-vjeçarin e kombëtares Shpresa, ndërsa shkodranët ia kanë dalë të mbajnë edhe 20 përqind të kartonit, në rast të një shitje të mundshme nga klubi i ardhshëm.
I dalë nga Akademia e Vllaznisë, Alivoda u bashkua me ekipin e parë të klubit në verën e 2022. Djaloshi ra në sy për forcën në mesin e fushës dhe për aftësitë krijuese në sulm. Katër ndeshje ka luajtur Alivoda me U-21 e Shqipërisë, duke qenë potencial i mundshëm edhe për ekipin A.
Pritet që largimi i Alivodës të krijojë një ngërç për skemat e trajnerit Thomas Brdaric, që sheh t’i ikë një element i talentuar. Pas shitjes së Geralb Smajlit te Ballkani, është radha e Alivodës që të lërë klubin.