Në vijim të punës për ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim, në lidhje me vrasjen e shtetasit Valter Fierza, kryer pas një konflikti të çastit, në afërsi të një lokali në fshatin Hot i Ri, më datë më 21.09.2023, Sektori për Krimet e Rënda dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”, lokalizuan, kapën dhe vunë në pranga shtetasin Luçiano Mhilli, 21 vjeç, banues në Shkodër.
Për të, Gjykata e Shkodrës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, “Mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim. 21-vjeçari akuzohet se në bashkëpunim me 2 vëllezërit e tij, të vënë në pranga nga Policia, ka vrarë shtetasinValter Fierza, 33 vjeç.
Në lidhje me këtë rast, Policia ka vënë në pranga dhe shtetasin Enton Dushaj, për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, si dhe po punon për kapjen e shtetasit Aleksandër Mhilli, të kërkuar për të njëjtat vepra penale.
Pas ngjarjes, nga kontrollet në lokalin në afërsi të vendit ku u krye vrasja, Policia gjeti dhe sekuestroi një sasi lënde narkotike cannabis sativa, në trajtë boçeje, që dyshohet se posedohej nga 5 shtetasit.