Pas gjashtë javësh kampionat Bylis ka zëvendësuar trajnerin. Emmanuel Egbo ka pranuar të largohet nga stoli i ballshiotëve dhe vendin e tij do e zërë Nevil Dede. Bylis në gjashtë javët e para të Superligës ka siguruar një fitore, dy barazime dhe tre humbje. Me pesë pikë ballshiotët renditen të parafundit.
Rezultatet e dobëta kanë bërë që në Ballsh të ketë një takim me drejtuesit, ku edhe Egbo duket se nuk është bërë pengesë për një largim që do sillte dinamika të reja në ekip. Pas largimit ai ka folur në kanalet zyrtare të klubit, duke e quajtur një vendim të vështirë, por që i hap rrugën përmirësimit të situatës.
“Ka qënë një vendim shumë i vështirë për mua, por kur bëhet fjalë për Bylisin kam menduar për më të mirën e skuadrës. Më mirë të lëviz unë, duke marrë përsipër ndryshimin, por edhe duke shpresuar sa më parë te kthesa. E kam menduar gjerë e gjatë dhe ja kam parashtruar edhe presidentit si mik prej vitesh, se një ndryshim tashmë që është herët mund të sjellë përmirësimin e ekipit dhe kjo lëvizje mund të jetë në të mirën e Bylisit. Unë jam pjesë e këtij klubi, jam mik me presidentin dhe dua kthesën e Bylisit, që mua më ka dhënë shumë si lojtar por edhe si trajner vite më parë.
Nuk e heq presidenti trajnerin, sidomos duke ditur edhe marrdhëniet që unë kam me Kapllanajn prej vitesh, sepse janë lojtarët ata që luajnë, prej nga varet rezultati, por edhe trajneri. Por edhe pas kësaj, unë do të vazhdoj që të jem afër Bylisit, si tifozi më fanatik, sepse Ballshi është, ka qënë dhe do të mbetet shtëpia ime. E bëra këtë hap sepse dua që Bylisi të ndryshojë dhe në fund të sezonit ta shoh në Europë, sepse skuadrat e tjera nuk kanë asgjë më shumë. Ky është një vendim personal i imi, falënderoj të gjithë ata që bashkëpunuam, Ballshi dhe Bylisi janë në zemrën time”, tha Emmanuel Egbo.
Nevil Dede nis punën që sot me Bylisin, në prag të sfidës me AF Elbasanin që luhet të dielën në orën 16:00 në “Adush Muça” të Ballshit.