Komuniteti i sportit si dhe ai shkodran në përgjithësi ka marrë një lajm të hidhur. Nga Irlanda, atje ku jetonte prej vitesh me familjen e saj në Dublin, ka ndërruar jetë para kohe në moshën 50 vjeçare, ish- atletja e Vllaznisë, Diana Gjinaj(Marku).
Diana, i përket brezit të atletikës shkodrane të viteve 80-90-të me një grup atletesh të talentuara shkodrane të drejtuara nga trajneri i mirënjohur Vildan Tufi. Mes tyre spikasin emrat e Vera Bregut, Leman Rakajt, Valbona Telit, Blerta Hasit, Valbona Ura, etj., me të cilat Diana është stërvitur dhe ka konkuruar me sukses në garën e kërcimit së gjati.
Koleget e saj të sportit, Vera, Blerta, Lemani, theksojnë për Veriu Sport, se Diana Gjinaj ishte një vajzë model në të gjitha drejtimet, shumë e përkushtuar për të zbatuar proçesin stërvitor të trajnerit Vildan Tufi në stadiumin “Loro Boriçi”, si dhe me konkurimet e saj dinjitoze ne garat kombëtare.
Por, ajo që e bëntë edhe më të respektuar Dianën, ka të bëjë edhe me jetën jashtë sportit, ku ajo ishte shumë e dashur dhe miqësore me të gjithë grupin e sportit dhe më gjërë duke përcjellë vazhdimisht pozitivitet.
E tillë ishte jeta e saj edhe në emigracion, ku pas viteve 90-të, ajo u sistemua me familjen e saj në Dublin të Irlandës, ku dashurinë dhe pasionin e saj për sportin ia ushqeu edhe tre fëmijëve të saj, Flavios futbollist, fillimisht me ekipin U19 të Dublinit në rolin e qëndërmbrojtësit dhe kapiten skuadre dhe aktualisht në Ligën e parë irlandeze, djali tjetër Eric me sportin e boksit, si dhe vajza e vogël, Sofia që ka zgjedhur futbollin e femrave.
Por, përpos tyre, Diana ndikoi jo pak që edhe tek nipi i saj, Kevin Zefi(djali i vëllait) që të aktivizohet me futbollin me ekipin e Dublinit ku kanë jetuar së bashku, ndërkohë që në vazhdim karriera e tij ka marrë përmasa të mëdha duke kaluar me kombëtaren irlandeze si dhe me klubet e njohur europiane.
Lajmin e ndarjes nga jeta e kanë përcjellë edhe pjesëtarët e familjes të saj, bashkëshorti Fran, si dhe fëmijët, Flavio, Eric dhe Sofia Marku.
Postimi i familjes
Me dhimbje te madhe duhet t’ju njoftojme se njeriu i zemres tone, Diana, nuk asht ma me ne. Ajo nderroi jete me 25 shtator dhe na ka lan me nje boshllek t’madh ne zemrat tona. Kush e ka njofte, e din sa shpirt te mire dhe te paster kishte dhe sa shume dashuri I ka dhane gjithkujt.
Nuk kemi fjale per me pershkru kyt dhimbje dhe humbje kaq te madhe, por jemi mirenjohes per çdokend qe e kujton me zemer. Faleminderit per dashnine dhe perkrahjen qe i keni dhane Dianes sidomos ne keto 3 vitet e fundit.
Per ata qe duan me ardhe me I dhane lamtumiren e fundit, do presim vizita te Cunningham’s Funeral home, Church avenue, Blanchardstoën premten 27 shtator ne oren 11:00 deri 19:00.
Ceremonia bahet te kisha St. Brigid’s church, Church avenue, Blanchardstoën shtunen 28 shtator ne oren 10:00.
Me shume dashuri,
Fran, Flavio, Eric dhe Sofia Marku.
ShkodraWeb, i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes Gjinaj-Marku, për humbjen e parakohshme në moshën 50 vjeçare të njeriut të tyre të afërt, Diana Gjinaj-Marku, si dhe komunitetit të atletikës shkodrane për humbjen e koleges së tyre t0235 respektuar. /Veriu Sport/