Akademikja Valentina Ndou, një ish- studente e Universitetit të Shkodrës, ka arritur një tjetër sukses të jashtëzakonshëm duke u renditur për të dytën herë në 2% të shkencëtarëve më të mirë në botë. Ky klasifikim përgatitet çdo vit nga Universiteti i Stanford, në bashkëpunim me organizata kërkimore ndërkombëtare, duke përdorur të dhëna nga Scopus. Qëllimi i kësaj nisme është të vlerësojë kontributet kërkimore të individëve në nivel global dhe të theksojë ndikimin e punës së tyre në komunitetin shkencor dhe në shoqëri.
Renditja në 2% më të mirët është një nder i veçantë për çdo shkencëtar, duke reflektuar një nivel të lartë ekselence dhe përkushtimi në kërkimin shkencor. Valentina Ndou, me origjinë nga Shkodra, ka qenë jo vetëm studentja, por edhe pedagoge në Universitetin e Shkodrës, dhe sot vazhdon karrierën e saj akademike në Itali. Ajo ka qenë pjesë e kësaj liste edhe vitin e kaluar dhe sivjet rikonfirmohet për arritjet e saj të vazhdueshme.
Mirenjohje dhe vlerësim për Valentina Ndou kanë shprehur edhe organizata të ndryshme shqiptare, me të cilat ajo ka bashkëpunuar. Një shembull i tillë është Albanian American Foundation for Development (AADF), e cila ka përpiluar një listë të akademikëve shqiptarë nga diaspora me të cilët ajo ka bashkëpunuar në Programin READ – Research expertise From Albanian Diaspora.
6 nga akademikët e diasporës, pjesëmarrës në Programin READ, janë renditur në 2% të shkencëtarëve më të mirë në botë sipas Universitetit të Stanford.
Ky sukses i Valentina Ndou dhe i kolegëve të saj është një tregues i qartë i potencialit dhe kontributit të shkencëtarëve shqiptarë në arenën ndërkombëtare.