Hospital One në Shkodër, prej disa kohësh nuk ofron më shërbimet për qytetarët e Shkodrës dhe Veriut të Shqipërisë. Një biznes privat, me ambicje të dukshme dhe të shfaqura edhe përmes reklamave në media dhe rrjetet sociale, nuk u përgjigjet më qytetarëve që e kontaktojnë. Në ShkodraWeb, ditët e fundit kanë ardhur mjaft sinjalizime, duke kërkuar informacion se çfarë ka ndodhur. Natyrisht, ne nuk e kemi këtë informacion, ndërsa ata që na kontaktojnë thonë se dyert e Hospital One janë të mbyllura ndërsa nuk funksionon as numri i vënë në dispozicion 022 800 000, edhe pse u tha se sherbimet do të ofrohen 24 orë.
Në fakt, mosfunksionimin e këtij numri, e kemi konstatuar edhe ne teksa përgjigjet në anglisht një sekretari telefonike që thotë se numri është i padisponueshëm. Ashtu siç me të drejtë, si çdo biznes tjetër, Hospital One njoftoi për nisjen e sherbimeve duke reklamuar në media dhe rrjetet sociale, ka detyrimin të njoftojë edhe mbylljen e përkohëshme apo të përhershme të tij. Për Shkodrën e Veriun, nuk është një lajm aspak i mirë, pasi siç reklamohej të paktën, ky spital ofronte një gamë të gjërë sherbimesh, duke shkurtuar të paktën rrugën drejt Tiranës mjaft hallexhinjve. Pa llogaritur që herë pas here, ofronte edhe ekzaminime falas për patologji të ndryshme.
Sipas ekstraktit në QKB, Hospital One është një Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar SH.P.K., themeluar në vitin 2021. Ndërkohë, në faqen e vet zyrtare në internet, viti 2023 është shënuar si vit i nisjes së ofrimit të sherbimeve për qytetarët. Gjithmonë sipas QKB, Hospital One ka si kompani mëmë themeluese “APT HEALTH AND MEDICAL LTD”shoqeri me pergjegjesi te kufizuar te Mbreterise se Bashkuar , e themeluar ne Londer, me adrese Unit 6 Zennor Road London, England SW12 0PS dhe NIPT 13663408 me perfaqesuese ligjore si administratore ekesaj shoqerie te huaj Emma-Louise Bowers. Administrator rezulton Gjon Pepaj teksa kapitali fillestar është 5.000.000 lekë. Vetë kompania mëmë “APT HEALTH AND MEDICAL LTD” ka si datë themelimi 5 tetor 2021 në Mbretërinë e Bashkuar (klikoni këtu për të parë aktin e themelimit në anglisht) ndërsa më pak se një muaj më pas, me 1 nëntor 2021, u regjistrua në QKB, në Shqipëri, Hospital One.
Nëse ky spital nuk do të hapë më apo më keq ka falimentuar, keqardhja është e dyfishtë pasi investimi i bërë është i konsiderueshëm, qoftë në infrastrukturë por edhe në aparatura, disa të fjalës së fundit të teknologjisë. Ajo që mban shpresën gjallë që ky spital mund të rikthehet me shërbimet e tij në Shkodër, është fakti se vazhdon statusi i tij aktiv në QKB, siç mund ta konstatoni edhe në dokumentin e shkarkuar ditën e sotme. Po ashtu, status aktiv në Mbretësinë e Bashkuar ka edhe kompania mëmë “APT HEALTH AND MEDICAL LTD”, e cila aktualisht ka si drejtor nga 27 maj 2022 Andi Pepaj (klikoni këtu për të parë aktin e emërimit si drejtor në anglisht), me gjasë shqiptar dhe i afërm i administratorit të Hospital One në Shkodër.
Ndoshta është momenti që të ndërhyjnë të shqetësuar për mbylljen e mundshme të këtij spitali mjaft premtues në shërbime edhe institucionet e shtetit, edhe vetë Ministria e Shendetësisë. Mbase mund të japin ndihmesë, të krijojnë kushtet për të rikthyer në funksion këtë vlerë të shtuar të sistemit shendetësor në Shkodër. Aq më tepër, kur kompania mëmë është në Mbretësinë e Bashkuar. Në fund, pas këtij shqetësimi të ngritur në emër të qytetarëve nga ShkodraWeb, pyetja më normale është: Çfarë ka ndodhur apo po ndodh me Hospital One në Shkodër?! Çfarë ka ndodhur me personelin e punësuar aty, mjekë, infermierë, laborantë, sanitarë etj.?!Urojmë që kjo pyetje të marrë përgjigje por më shumë urojmë që Hospital One të rikthehet në aktivitet.