Në ditën e parë të vitit akademik 2024-2025, rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi” zgjodhi Fakultetin Ekonomik për të përshëndetur studentët dhe për t’u uruar suksese në rrugën e vështirë, por të bukur të dijes, ndërkohë që secili fakultet e festoi këtë ditë me studentët e vet në godinat përkatëse.
Në fjalën e tij përshëndetëse rektori u uroi mirëseardhjen 898 studentëve të rinj të Ciklit të Parë të Studimeve (si dhe të tjerëve që do të na bashkohen gjatë raundit të tretë, 10 – 25 tetor). E veçantë ishte thirrja e tij për studentët dhe organizmat e tyre përfaqësues, duke u kërkuar angazhim deri në denoncimin e rasteve të mitmarrjes që mund të ketë nga pedagogë të veçantë.
Këtë vit numri i maturantëve në rang vendi ka qenë më i ulët, ndërsa numri i studentëve të regjistruar pranë universitetit të Shkodrës, deri në raundin e dytë të regjistrimeve, ka ruajtur të njëjtin trend, duke stopuar rënien dhe duke pritur 8 studentë më shumë në krahasim me vitin e kaluar. Vlen për t’u theksuar se këtë vit UNISHK- u mirëpret edhe 12 studentë nga Trojet, të cilët kanë zgjedhur Universitetin e Shkodrës për të kryer studimet.
Rektori ritheksoi një ndër prioritet e tij që, duke nisur nga ky vit akademik, do të ndryshojmë totalisht filozofinë e universitas, duke vënë studentin në qendër për mësimdhënien, mësimnxënien dhe vlerësimin.
Ky do të jetë vizioni europian i UNISHK-ut, duke ndërtuar frymën e bashkësisë, promovimin e aftësive krijuese të studentëve, rritjen çdo ditë të prestigjit akademik e shkencor, në përballjen me universitetet partnere në vend e në botë. Rektori vijoi takimet me studentët e Fakultetit të Drejtësisë dhe Fakultetit të Shkencave Shoqërore.