Vehbi Sulejmani nuk është më mes nesh. Mbrëmjen e sotme, veterani i nderuar i sportit shkodran ka ndërruar jetë duke mos arritur t’i bëjë ballë një sëmundje e cila e mundonte gjatë periudhës së fundit.
Pasi ka luajtur me sukses në formacionin e Vllaznisë si volejbollist, vazhdimin e karrierës së tij sportive, Vehbi Sulejmani do ta kishte në rolin e trajnerit, ku krahas të tjerave, vitet më shumta i kishte në drejtim të ekipit të volejbollit femra, fillimisht kategorinë e të rejave dhe më pas atë të të rriturave, nga duart e të cilit dolën emra të njohur volejbollistesh shkodrane, që krahas Vllaznisë luajtën edhe me kombëtaren kuqezi.
Falë kontributimit dhe vlerave të tij në vite si sportist dhe trajner, por edhe si familjar dhe qytetar model, Vehbi Sulejmani do të nderohej me vlerësime të ndryshme, si “Trajner i Shekullit” nga Klubi Vllaznia, “Mirenjohja e Qytetit”, “Nderi i sportit shkodran” nga Bashkia Shkodër, “Mirenjohje” nga Federata Shqiptare e Volejbollit, etj.
Në nderim të kësaj figure, Sport Klub Vllaznia, në bashkëpunim me familjen Ademi, organizojnë paraditen e të martës homazhe në hollin e Prefekturës Qarkut Shkodër, nga ora 09:00-11:00, prej nga bëhet edhe përcjellja për në banesën e fundit.
Pushofsh në paqe, profesor Vehbia!