Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka inspektuar punimet që po kryhen në tregun e Rusit. Ai ka ndjekur nga afër ecurinë e punimeve të cilat po ecin me ritme të larta me qëllim përfundimin e shpejtë të këtij investimi dhe rikthimin e tregtarëve brënda hapësirës së këtij tregu, tashmë në kushte optimale.
Kreu i Bashkisë në intervistën e dhënë për mediat u shpreh i kënaqur me ecurinë e punimeve në këtë investim të rëndësishëm në një nga tregjet me të mëdha të Shkodrës.
Ky investim kap shifrën e 36.6 milion lekëve, nga të cilat 7.5 milion lek janë bashkëfinancim i Bashkisë Shkodër me AZHBR. Rehabilitimi i merkatës Rus, do të shërbejë për të përmirësuar kushtet e tregtimit sipas standarteve për shitësit dhe blerësit e produkteve, duke krijuar një ambjent funksional dhe higjenik si dhe duke siguruar mbrojtjen nga faktorët atmosferik.
Me anë të këtij projekti do të behët e mundur, ndërhyrja në sistemimin e sheshit, ndërtimin e mbulesës së merkatës, ndriçimi i tregut, ndërtimi i moduleve të reja për tregtarët ambulant, përmirësimi i kushteve të tregtimit dhe ruajtja e produkteve deri në tavolinën e konsumatorit.